Telegrafi

Kosova e Re në rrugë pa krye

Pavarësisht se termocentrali Kosova e Re nuk ka filluar ende të ndërtohet, për të deri më tash janë shpenzuar mbi 11 milionë euro. Përkundër krejt këtyre shpenzimeve milionëshe, për të ardhur deri të finalizimi i këtij projekti po kërkohen mjete tjera shtesë. Tash kërkesën për shpenzime shtesë e ka bërë Banka Botërore, e cila do nga Qeveria e Kosovës zbatimin e një projekti për shërbime konsulente për Kosovën e Re. Burime të gazetës brenda Qeverisë tregojnë se BB’ja ka kërkuar mjete tjera shtesë për shërbime konsulente.

Sipas këtij burimi, deri më tash me gjithë mjetet tjera që janë derdhur në këtë projekt, arrihet vlera e miliona eurove vetëm për shërbime konsulente.

“Banka Botërore ka kërkuar mjete shtesë për shërbime konsulente, që tani arrijnë vlerën e miliona eurove”, thotë ky burim për Express.

Por, shfrytëzimi i gjithë këtyre mjeteve për ish ministrin e Energjisë dhe Minierave, Ethem Çeku, është i kotë dhe i padobishëm. “Unë mendoj se tani edhe milionat tjerë nëse jepen e kanë humbur kuptimin, pasi projekti është duke u zgjatur dhe s`dihet as a do të fillojë”, thotë ish ministri Çeku.

Ai tregon për Express se që nga viti 2007 për këtë projekt janë shfrytëzuar miliona euro. E vazhdimi i derdhjes së mjeteve tjera për këtë projekt, sipas tij, është i paarsyeshëm dhe nuk do të ndikojë për të vënë në funksion këtë termocentral. “Vetëm për kompani këshilluese deri më tani për këtë projekt janë dhënë mbi 11 milionë euro”, thotë Çeku. /Telegrafi/