Site icon Telegrafi

“Kosova e Re”, drejt dështimit?

Projekti më i madh energjetik i pasluftës në Kosovës ai për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” mund të dështojë.

Sipas burimeve, dështimi i projektit mund të ndodhë për faktin se kompania fituese, e shpallur nga Komiteti Ndërministror për “Kosovën e Re”, “Contour Global”, me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka paralajmëruar se do të tërhiqet, për faktin se nuk ka pajtueshmëri për disa detaje të kontratës, shkruan gazeta Kosova Sot.

Me gjithë premtimet e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, se deri në fund të muajit tetor sivjet pritet të merret një vendim i Qeverisë së Kosovës për TC-në ‘Kosova e Re’, burime vendore nga njohësit e kësaj fushe thonë se marrëveshja me kompaninë amerikane për ndërtimin e TC ‘Kosova e Re’ është shumë pranë dështimit.

Stavileci në konferencën ndërkombëtare dyditëshe për energjetikën, duke folur për kapacitetet e reja, ka thënë se deri në fund të muajit tetor pritet se do të merret vendim për TC në ‘Kosova e Re’.

“Ne jemi në negociata me një kompani amerikane dhe besoj që nga fundi i këtij muaji do të dalim edhe me zgjidhjet përfundimtare për sa i takon vazhdimësisë së këtij projekti, i cili është shumë i domosdoshëm për mbarëvajtjen jo vetëm të sektorit, por edhe për të zhvilluar ekonominë”, ka thënë ministri i MZHE-së.
Para disa muajsh, Stavileci, i cili udhëheq Komitetin Ndërministror për TC-në ‘Kosova e Re’, kishte thënë se janë bërë përparime të dukshme në realizimin e këtij projekti. Mirëpo, ish-deputetë dhe analistë thonë se ky projekt do të dështojë sërish. /Kosova Sot/Telegrafi/

Exit mobile version