Kosova ka arritur fitore shumë të rëndësishme përballë Irlandës së Veriut (3-2) në kuadër të Grupit 2 të Ligës C në Ligën e Kombeve.
Në sfidën e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Dardanët e gjetën dy herë rrjetën në pjesën e parë.
Një ndërhyrje e palejuar në Milot Rashicën brenda zonës, gjyqtari i ndeshjes e ndëshkoi me penallti. Përgjegjësinë e mori Vedat Muriqi dhe sulmuesi ishte i saktë me goditjen e tij nga pika e bardhë (9’).
Rashica ishte sërish i përfshirë. Anësori dhuroi një asistim i mrekullueshëm drejt Zymer Bytyqit, i cili u tregua fantastik për ta shënuar golin e dytë (19’).
Kosova vazhdoi të rrezikonte edhe në minutat në vijim, ndërsa Rashica dhe Florent Muslija i patën rastet më të mira. Sidoqoftë, mysafirët arritën ta ngushtonin rezultatin me një gol të shënuar nga Shayne Lavery (45’).
Sikurse në pjesën e parë, vendasit e nisën akoma më bukur gjysmën e dytë duke e rikthyer epërsinë prej dy golash që në minutat e para të fraksionit të dytë.
Lirim Kastrati dhuroi një harkim nga e majta dhe në vendin e duhur ishte Vedat Muriqi për ta realizuar golin e dytë personal në këtë takim (52’). Për disa çaste pati një dyshim për pozitë jashtë loje, mirëpo pas konsultimit të VAR-it, gjyqtari e konfirmoi golin.
Pas një harkimi në zonë nga Jordan Thompson, Daniel Ballard (83′) e ngushtoi rezultatin. Në vijim mysafirët rrezikuan në dy raste që nuk u konkretizuan.
Pas kësaj fitoreje, Kosova ka gjashtë pikë, tri më pak se Greqia që triumfoi ndaj Qipros dhe pikërisht ndaj Helenëve zhvillojmë ndeshjen e radhës. /Telegrafi/
Zymer Bytyqi with a real missile as he scores his first national team goal and extends Kosovos lead to 2-0 against Northern Ireland 🔥🇽🇰🚀pic.twitter.com/q4NJYaIkNJ
— Kosovar Talents (@Kosovartalents) June 9, 2022