Telegrafi

Kosova e kompletuar në stërvitjen e dytë para miqësores ndaj Burkina Fasos

(Foto: ffk-kosova.com)

Nën urdhrat e trajnerit të ri, Alain Giresse, Kosova i ka zhvilluar edhe stërvitjen e dytë para ndeshjes miqësore kundër Burkina Fasos që zhvillohet të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Ajo që vlen të përmendet është se skuadra është e kompletuar nga lojtarët që janë ftuar nga trajneri francez, përveç Emir Sahitit që pësoi lëndim dhe u zëvendësua menjëherë nga Lumbardh Dellova, raporton KosovaPress.

Yje, si Vedat Muriqi, Edon Zhegrova, Mërgim Vojvoda, Amir Rrahmani, Milot Rashica, Valon Berisha e të tjerë, u paraqitën të gatshëm dhe në formë të mirë gjatë kësaj seance stërvitore.

Në 20 minuta stërvitje që ishin të hapura për media, lojtarët bënë nxehje dhe vrapim të lehtë.

I pranishëm në stafin e trajnerëve ishte dhe Primoz Gliha, i cili e drejtoi skuadrën pas shkarkimit të Bernard Challandes.

Pas Burkina Fasos, Kosova luan edhe një tjetër ndeshje miqësore, atë kundër Zvicrës në Cyrih.

Lexo po ashtu Kosova mban stërvitjen e parë nën drejtimin e Alain Giresse