Telegrafi

Kosova e Italia nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi në shëndetësi

Ministri i Shëndetësisë e ka vlerësuar lartë mbështetjen e Italisë për shëndetësinë kosovare dhe projektet e saj për të ndihmuar në disa fusha të caktuara të shëndetësisë si kardiologjia, kardiokirurgjia dhe në ngritjen e kapaciteteve të sistemit shëndetësor të Kosovës.

“Partnerët tanë nga Italia kanë zhvilluar projekte të rëndësishme për shëndetësinë kosovare, prandaj ne besojmë që marrëveshja e sotme do ta forcojë këtë partneritet të fortë midis dy shteteve edhe në shëndetësi”, tha Bukoshi, duke përmendur investimet që janë bërë dhe do të bëhen nga shteti italian në përfundimin e projektit të Kardiokirurgjisë në Kosovë.

Ambasadori Giffoni tha se nënshkrimi i marrëveshjes është akti final i një bashkëpunimi të mirë midis autoriteteve kosovare dhe atyre italiane në fushën e shëndetësisë dhe rezultat edhe i Konferencës së donatorëve për Kosovën, të mbajtur në Bruksel.

“Ne jemi të fokusuar drejtpërdrejt që ta ndihmojmë Kosovën në tri fusha: në atë të shëndetësisë , promovimit dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe etnike dhe në bujqësi”, nënvizoi Giffoni, duke theksuar se Italia, që ka ndihmuar konkretisht Spitalin e Pejës dhe Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, do ta vazhdojë përkrahjen me ekspertë për avancimin e sistemit publik shëndetësor të Kosovës.

Ky bashkëpunim prej ditës së sotme ndërkaq, është konkretizuar edhe me Marrëveshje bashkëpunimi ndërshtetërore midis dy shteteve në shëndetësi. Në interesim të mediave, ambasadori Giffoni dhe ministri Bukoshi kanë dhënë disa komente edhe për çështje të tjera të ndërlidhura me aktualitetin politik në Kosovë. /Telegrafi/