Site icon Telegrafi

Kosova e humb arbitrazhin me “Countur Global”, detyrohet t’ia paguajë mbi 20 milionë euro

Foto: Arkiv

Qeveria e Kosovës e ka humbur arbitrazhin ndërkombëtar me kompaninë amerikane “Countur Global” për mosrespektim të kontratës, thanë të enjten zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës.

Kosova detyrohet tani t’ia paguajë “Countur Global” mbi 20 milionë euro dëmshpërblim, në bazë të vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Ndërkombëtar.

Zyrtarët e Ministrisë thanë se Avokatura Shtetërore dhe përfaqësuesi ligjor i kontraktuar e kanë analizuar vendimin final të arbitrazhit dhe se do të ankohen ndaj tij në gjykatën civile në Mbretërinë e Bashkuar.

Këshilltari i ministres së Drejtësisë, Genc Nimoni, ka konfirmuar vendimin Arbitrazhit për KP, duke treguar se vendimi final është analizuar dhe i njëjti do të sfidohet në gjykatën civile në Mbretërinë e Bashkuar.

“Avokatura Shtetërore e ka pranuar vendimin final të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, (ICC). Vendimi i Arbitrazhit e obligon Republikën e Kosovës që t`ia paguajë Countur Global-it shumën prej 20,053,125.63 euro. Avokatura Shtetërore dhe përfaqësuesi ligjor i kontraktuar e kanë analizuar vendimin final të arbitrazhit dhe i njëjti do të sfidohet në gjykatën civile në Mbretërinë e Bashkuar”, thotë Nimoni.

Në fund të vitit 2017, Qeveria e Kosovës e pati nënshkruar marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane, “Countour Global”, për ndërtimin e Termocentralit ‘Kosova e Re” me kapacitet 500 megavat, i cili do të kushtonte 1.3 miliard euro.

Ky pritej të ishte investimi më i madh i huaj në Kosovë.

Termocentrali “Kosova e Re” ishte paraparë të fillohet të ndërtohej në vitin 2020, ndërsa të vihet në punë në vitin 2023. Jetëgjatësia e tij ishte llogaritur të ishte 40 vjet.

Por, në mars të vitit 2020, kompania “Countour Global” kishte njoftuar tërheqjen nga planet për ndërtimin e termocentralit, me arsyen se kompania nuk e ka ndër mend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmen, por, po ashtu, edhe për arsyeje të ndryshimeve politike që kishin ndodhur në Kosovë.

Kosova ka më shumë se 10 miliardë tonë linjit dhe si i tillë është vendi i pestë në botë për nga sasia e këtij resursi, por me gjithë pasurinë e linjitit, Kosova vazhdon të përballet me mungesë të energjisë elektrike.

Exit mobile version