Zyrtarët shtetërorë të Republikës së Kosovës i kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme me qëllim që këtë vit Kosova të jetë anëtare e Interpolit.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, shpreson se vendi ynë do ta marrë mbështetjen e nevojshme për t’u anëtarësuar në Interpol, megjithatë pranon se do të ketë sfida të mëdha gjatë këtij procesi.
E mediet në Beograd kanë raportuar se shteti serb tanimë ka formuar mekanizmat shtetërorë, me qëllim që ta pengojë rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Interpol.
Siç u raportua, për këtë pengesë zyrtarët serbë presin edhe ndihmën e Rusisë, të Kinës e të shteteve afrikane.
Sido që të jetë, Kosova i ka bërë tashmë të gjitha përgatitjet për anëtarësim në Interpol, raporton RTK.
Sipas Hysenit, po vazhdohet të punohet për identifikimin e vendeve për lobim, me qëllim që shteti ynë në shtator të këtij viti të jetë anëtarja më e re e Interpolit.
Republikës së Kosovës i nevojiten dy të tretat e votave të shteteve të pranishme në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit që do të mbahet në Pekin. /rtk/