Telegrafi

Kosova e gatshme për të plotësuar kriteret

Ndërkaq, ekspertët e Komisionit Evropian duke çmuar lartë punën dhe qasjen e Qeverisë së Kosovës diskutuan detajet konkrete të kësaj marrëveshje, duke përmendur kështu nevojën e krijimit dhe reformimit të një sistemi funksional tregtar e cila do të krijonte besimin se Kosova është e gatshme jo vetëm të negociojë dhe nënshkruaj këtë marrëveshje por edhe të jetë implementuese e saj.

Në kuadër të kësaj marrëveshje ndër të tjera janë diskutuar çështje konkrete në fushën e doganave, rregullat e konkurrencës, të cilat ndikojnë në krijimin e një ambienti të përshtatshëm për investime, mbrojtjen e të drejtave të autorit, reformimin e prokurimit publik, zgjidhjen e kontesteve ndërinstitucionale, eliminimin e barrierave tarifore dhe shumë çështje të tjera që hyjnë në fushën e tregtisë.

Po ashtu, edhe pse CEFTA nuk është pjesë direkte e marrëveshjes tregtare me BE-në, për ekspertët e Komisionit Evropian CEFTA paraqet një shembull praktik dhe një parakusht të testimit të funksionimit të marrëveshjes së ardhshme tregtare që Kosova mund ta nënshkruaj me Unionin Evropian.

Kuçi dhe ministrat e pranishëm treguan vështirësitë që Kosova ka në pjesëmarrjen dhe eksportimin e mallrave që garanton marrëveshja CEFTA dhe kërkuan nga të pranishmit që të bëjnë presion të vazhdueshëm në Beogradin zyrtar për të hapur dyert e bashkëpunimit ekonomik.

Marrëveshjet tregtare kërkojnë aprovimin final nga Këshilli Evropian, për çka mungesa e një qëndrimi unik ndaj Kosovës mund të paraqet vështirësi në nënshkrimin e shpejtë të kësaj marrëveshje, megjithatë ndryshimet që ka sjellë Traktati i Lisbonës me hyrjen e saj në fuqi, duke i dhënë kështu Parlamentit Evropian fuqi të madhe në procedurën e bashkëvendimmarrjes me Këshillin Evropian, paraqet një mundësi reale të arritjes sa më parë të kësaj marrëveshje.

Ekspertët e Komisionit Evropian po qëndrojnë për një vizitë tre ditore në Kosovës, me qëllim të analizimit të gjendjes në lidhje me plotësimin e kritereve të kërkuara për nënshkrimin e marrëveshjes tregtare në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian. /Telegrafi/