Telegrafi

Kosova e gatshme për CEFTA-n

Autoritetet kompetente kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që, vitin e ardhshëm, Kosova të kryesojë me Marrëveshjen për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore, CEFTA, raporton Radio Evropa e Lirë.

Gjatë këtij viti, me këtë mekanizëm ndërkombëtar po udhëheq Serbia.

Flamur Keqa, drejtor i Departamentit të Tregtisë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se, pavarësisht problemeve politike që vendi ka me Serbinë, në aspektin ekonomik dhe profesional, Kosova është e gatshme për të drejtuar CEFTA-n.

“Për momentin, të gjitha procedurat dhe procesi rreth marrjes së kryesimit të CEFTA-s nga ana e Kosovës, po shkojnë në rregull. Të gjitha gjasat janë që Kosova të marrë kryesimin e CEFTA-s për vitin 2011”, tha Keqa.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike këmbëngulin që Kosova, në asnjë mënyrë, të mos e humbasë drejtimin e CEFTA-s.

Që nga dhjetori i vitit 2008, vendet fqinje, Serbia dhe Bosnja, kanë bllokuar produktet e Kosovës, për shkak të ndërrimit të vulave të doganave, nga ato të UNMIK-ut në ato të Kosovës. Mallrat me këtë vulë nuk lejohen të kalojnë as transit nëpër këto vende. /Telegrafi/