Site icon Telegrafi

Kosova e fundit në rajon sa i përket eksportit

Deficiti i lartë tregtar dhe mungesa e kapaciteteve prodhuese, ka bërë që Kosova që nga paslufta e këndej të jetë e fundit në rajon për nga aspekti i zhvillimi ekonomik.

Nga të dhënat e Bankës Botërore, Kosova del sa ka pasur rritje të normës ekonomike prej 3.4 përqind, por për nga aspekti i eksporteve dhe importeve vazhdon të jetë e fundit në listën e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kroacia është në vendin e parë për sa i përket shifrave të shkëmbimeve tregtare.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore , Kroacia në vitin 2016 ka eksportuar mallra në vlerën mbi 22 miliardë euro, ndërsa ka importuar mbi 21 miliardë euro.
Pas saj renditet Serbia që gjatë vitit 2016 ka eksportuar mallra në vlerë mbi 17 miliardë euro , ndërsa ka pasur një import të përafërt me eksportin mbi 19 miliardë euro.

Shqipëria në vitin 2016 ka eksportuar mallra në vlerë mbi 3 miliardë euro ndërsa ka importuar mallra në vlerë mbi 4 miliardë euro.

Ndërsa Kosova në tre vitet e fundit ka importuar mallra në vlerë afërisht 2.7 miliard euro në vit , ndërsa eksportet sillen rreth 355 milionë euro.
Mali i Zi që ka një popullsi më të vogël në vitin 2016 ka eksportuar mallra në vlerën mbi 1 miliardë euro, ndërsa ka importuar mallra afër 2 miliardë e gjysmë euro.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë se gjatë vitit 2015, Kosova ka pasur vlerën më të lartë të eksporteve që ka arritur në 370 milionë euro. “Nëse merret importi në total gjatë tre viteve të fundit ne kemi pasur një import për afër 8 miliardë euro në tre vite nëse merret në total, derisa një mesatare vjetore e importit të mallrave është 2.5 miliardë euro.

Nëse merret viti 2014 ne i kemi pasur 2.4 miliardë euro, kurse në vitin 2016 kemi arrit në 2.7 miliardë euro import të mallrave. Eksporti në tre vite në një mesatare të përgjithshme ,është rreth 355 milionë euro brenda një viti. Kurse për këto tre vitet e fundit ka arrit afër 1 miliard eksporti i produkteve kosovare. Në vitin 2015 ka qenë viti kur Kosova ka eksportuar më së shumti mallra në këto 10 vitet e fundit. Ka qenë rreth 390 milionë euro, kurse në vitin që lamë pas eksporti ka qenë rreth 370 milionë euro”, tha Stavileci.

Kosovën që nga paslufta e përcjell deficiti i lartë tregtar. Kjo dhe mungesa e kapaciteteve prodhuese sipas ish ministrit të Financave Haki Shatri është arsyeja që Kosova ka bilancin tregtar negativ për dallim me vendet tjera.

“Problemi i deficitit tregtar të Kosovës e përcjell prej përfundimit të luftës e këndej edhe në vazhdimësi. Kjo nuk është një diçka që është e pashpjegueshme . Thjesht Kosova nuk ka kapacitete prodhuese dhe shpenzimet konsumin e popullsisë së vet e ka vëllimin më të madh të konsumit se sa që e ka prodhimin.

Fatkeqësisht kjo po vazhdon edhe 18 vjet pas çlirimit… Qeveritë e deritanishme nuk kanë ditë me aplikuar metoda edhe masa të politikave makroekonomike me të cilat i angazhon 30 për qind të popullsisë të papunë , të kontingjentit të punës, kapaciteteve të ndërtuara edhe të burimeve natyrore . Tre burime nuk ka ditë me i aktivizua . Asgjë nuk kemi bërë në ngritje të kapaciteteve energjetike, minerale që janë burimet tona më të vlefshme e që i lakmojnë e gjithë bota ”, tha Shatri.

Por faji për këtë sipas Naser Osmanit, kryetar i Komisionit parlamentar për Buxhet dhe Financa dhe deputet i LDK-së është se Kosova ka trashëguar një histori jo të mirë ekonomike, sidomos në vitet e nëntëdhjeta.

Sipas tij, me pakon fiskale 1 dhe 2 mundësohen lehtësira për bizneset prodhuese.

“Në kohën e fundit zhvillimi ekonomik sillet prej 3 deri në 4 për qind dhe kjo është një tendencë e mirë. Por në krahasim me rritjen ekonomike të vendeve të tjera ne përsëri mbetemi një shtet i cili shumë është i varur prej importeve dhe kjo po vazhdon edhe më tutje. Ne kemi një bilanc tregtar jashtëzakonisht të pavolitshëm, 3 me 1 në favor të importeve dhe kjo tregon që ekonomia e Kosovës është e brishte edhe më tutje. Reformat e fundit fiskale ekonomike çojnë në tendencën e krijimit të kushteve për ngritjen e kapaciteteve të reja ekonomike që mos të varemi për çdo gjë nga shtete tjera të kemi prodhimet tona. Në këtë drejtim konsideroj që Kosova për një fazë shumë të shkurtër mund të rritë edhe Bruto Produktin shoqëror edhe të bëhet zhvillimi ekonomik edhe të absorbojnë numër më të madh të të punësuarve…. Po ashtu edhe kontrata e Qeverisë që është bërë me Bashkimin Evropian për MSA-në, krijon një horizont të ri të mundësisë së plasimit të mallrave . Por edhe jemi tash në pritje të pakos 2 fiskale kur konsiderojmë që do të bëhet lehtësim për bizneset në Kosovë”, tha Osmani.

Më poshtë janë të dhënat që tregojnë se Kosova ka normën më të lartë të rritjes 3.4 për qind, Shqipëria me 3.45 për qind, Serbia 2.8 për qind, Maqedonia 2.4 për qind, Kroacia, 2.9 për qind , Bosnja dhe Hercegovina 2.8 për qind dhe Mali i Zi 2.5 për qind. /Kosovapress/Telegrafi/

Exit mobile version