Dy shtetet shqipfolëse, Shqipëria dhe Kosova renditen shumë ulët sa i takon të ardhurave.
Si Shqipëria dhe Kosova renditen të fundit në Evropë (pa përfshirë vendet e ish-Bashkimit Sovjetik) për të ardhurat për frymë, sipas të dhënave të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtare, që ka përditësuar shifrat në “Pasqyrën Ekonomike Globale” të tetorit 2018.
Për vitin 2018, Shqipëria vlerësohet të ketë të ardhura për frymë prej 5261 dollarësh, në vend të 102 nga 191 shtete, duke u përmirësuar me katër vende në raport me 2017-n, kur ishte në pozicionin e 106. Kosova, me të ardhura prej për frymë prej 4324 dollarësh, renditet e 112-a.
Në rajon, të ardhurat më të larta i ka Mali i Zi, me 8,644 dollarë për frymë, duke u renditur e 79-a në botë, e ndjekur nga Serbia me 6,815 dollarë (vendi 88); Maqedonia, me 5,953 dollarë (95) dhe Bosnjë Hercegovina me 5,704 dollarë (e 100).
Prej vitesh Shqipëria, një vend i bekuar me shumë pasuri natyrore e pozicion të lakmueshëm gjeografik, nuk po arrin që të rrisë të ardhurat me ritme më të shpejta se fqinjët dhe shtetet e zhvilluara të BE-së (i ashtuquajturi procesi i konvergjencës), duke mbetur më e varfra në Evropë, se bashku me Kosovën.
Nivelin më të lartë të PBB-së për frymë në rajon e ka Mali i zi, sa 45 për qind e mesatares së BE-së. Pas Mali të Zi, renditet Serbia dhe Maqedonia, ku të ardhurat për frymë janë sa 37 për qind e mesatares europiane.
Edhe për Konsumin Aktual Individual (ACI), një tregues i mirëqenies materiale të familjeve në Evropë, Shqipëria është e fundit, me 37 për qind të mesatares së Bashkimit Evropian. Nivelin më të larte të këtij treguesi në rajon e ka Mali i Zi, ku Konsumi Aktual Individual është sa 56 për qind e mesatares se BE-se (dyfish më shume se Shqipëria). Më pas renditet Serbia, ku treguesi ACI është sa 47 për qind e mesatares europiane. Maqedonia dhe Bosnja kane të njëjtin nivel të treguesit të Konsumit aktual Individual më 41 për qind.
Shteti që ka të ardhurat për frymë më të lartat në botë është Luksemburgu, me rreth 114 mijë dollarë të vlerësuara për 2018-n, sipas shifrave të FMN-së.
Në vend të dytë është Zvicra, me 83.5 mijë dollarë, e ndjekur nga Norvegjia me 82 mijë dollarë, Makao në Kinë me 81.5 mijë, Islanda me 75.7 mijë dollarë.
Më pas në listë renditen Irlanda, Katari, Shtetet e Bashkuara, Singapori dhe dhjetëshja mbyllet nga Danimarka, shkruan ‘monitor’.
Në kontrast, shtetet me të ardhura më të ulëta për frymë janë Burundi dhe Sudani i Jugut, me rreth 307 dollarë për frymë secili. /KP/Telegrafi/