Site icon Telegrafi

Kosova e ftoi, tenistja serbe e refuzoi

Djordjevic nuk dëshiron ta veshë fanellën e Përfaqësueses së Kosovës. Tenistja serbe e kishte në tavolinë një ofertë nga Federata e Tenisit e Kosovës (FTK), e cila deshi t’ia japë mundësinë të luajë në Fed Cup (një lloj Botërori në tenis), por 18-vjeçarja ka dhënë përgjigje negative, pa dhënë shumë detaje rreth vendimit të saj, shkruan Zëri.

Ajo luan pa problem në garat që organizohen në Kosovë, por kur bëhet fjalë për Përfaqësuesen, heziton ta bëjë një gjë të tillë. Tenistja nga Graçanica, muaj më parë, në takimet që pati me drejtuesit e FTK-së, e kishte shprehur gatishmërinë për ta përfaqësuar Kosovën, për t’u bërë sportistja e parë serbe që e thyen akullin, por duket se vendimi definitiv i përket babait të saj, i cili nuk e sheh si zgjidhje të duhur që vajza e tij serbe të luajë për Kosovën, transmeton Zeri.

“E kam marrë një vendim, nuk dua të luaj për ekipin përfaqësues të Kosovës. Ju falënderoj që më keni ftuar dhe ju uroj të gjitha të mirat”, është përgjigja e Marijas, të cilin e ka siguruar ekskluzivisht “Zëri”.

Marija: Ju njoftoj, nëse ndryshoj mendje

Megjithatë, ajo nuk i ka mbyllur të gjitha rrugët, duke i lënë ndoshta të shpresojnë ende drejtuesit e Federatës së Tenisit. “Nëse ka ndryshime, do t’ju njoftoj. Javën e ardhshme (këtë javë), do t’ua jap përgjigjen finale”, ka shtuar më pas Djordjevic.

Mirëpo, drejtuesit e FTK-së nuk e kanë ndërmend ta presin shumë tenisten, pasi atyre iu duhet ta dërgojnë listën përfundimtare të tenisteve kah mesi i kësaj jave.

“Nuk kemi shumë kohë. Gjatë javës duhet t’i dërgojmë emrat e lojtareve”, ia ka kthyer kryetari i Federatës, Shkëlzen Domi.

“Mund të presim deri të mërkurën, më 24 shkurt, jo më shumë”, ka shtuar trajneri i Përfaqësueses së Kosovës për femra, Arben Islami.

Image
FTK: Më së shumti humb Marija

Në Federatën e Tenisit të Kosovës nuk e kanë pritur mirë vendimin e Marijas, edhe pse mund të mos jetë definitiv. Sidoqoftë, ata mendojnë se në këtë rast, më së shumti ka humbur ajo.

“Unë i kam thënë asaj, Kosova është e vetmja mundësi për ty që të luash në Fed Cup, pasi për Serbinë nuk mund të luajë, sepse ka teniste më cilësore. Ajo e do shumë tenisin dhe është gjynah që ta lëshojë këtë mundësi”, ka thënë për “Zërin”, kryetari Domi.

Sipas tij, arsyet që mund të kenë ndikuar në vendimin e tenistes janë, paragjykimet e asaj pjese ku ajo jeton, pastaj nacionalizmi i disa njerëzve, që nuk e njohin Kosovën dhe ndoshta frika që e ndien babai i saj, që vajza e tij ta përfaqësojë vendin tonë.

Megjithatë, Marija e ka refuzuar momentalisht Kosovën dhe kushedi, ndoshta në të ardhmen ndërron mendje dhe bëhet përfaqësuese e Kosovës.
 

Exit mobile version