Italia ka mbetur destinacioni kryesor i eksporteve shqiptare edhe në vitin 2018. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, te shteti përtej detit u shitën mallra e produkte me vlerë 150 miliardë lekë, ose gati 1.2 miliardë euro, me një rritje të lehtë prej 2% në krahasim me vitin e mëparshëm. Italia është absolutisht partneri më kryesor i Shqipërisë për eksportet, teksa në 2018-n, ka pritur 48% të totalit.
Tekstilet dhe këpucët janë produkti kryesor që shkon drejt Italisë, kryesisht në formën e rieksporteve, që punojnë me sistemin fason (regjimi i materialit të porositësit). Italia pret rreth 70% të tekstileve nuk pritet të ketë një vit të mbarë në 2019-n. Prej vitesh sektori nuk po arrin të diversifikohet dhe të shkëputet nga varësia nga tregu italian, duke e lënë atë të prekshëm nga zhvillimet në tregun fqinjë.
Destinacioni i dytë është Kosova, në të njëjtin pozicion si vitin e kaluar,duke pritur 8.7% të totalit të eksporteve. Drejt Kosovës eksportuam mallra me vlerë prej 27 miliardë lekësh, me një zgjerim të ndjeshëm prej gati 30% në raport me 2017-n. Eksporti i hekurit dhe materialeve të tjera të ndërtimit zuri 50 për qind të peshës së eksporteve duke shënuar rritjen më të madhe në raport me grupet e tjera, si rrjedhojë e gjallërimit të aktivitetit të kompanisë së përpunimit të metaleve, Kurum, e ka ka Kosovën destinacionin kryesor të eksporteve.
Gjithashtu rritje e fortë u vu re edhe në eksportin e mineraleve dhe lëndëve djegëse me 29 për qind. Ky është grupi i dytë, me vlerën më të madhe të eksportit në Kosovë dhe dominohet kryesisht nga shitjet e naftës. Ekspertë të ekonomisë dhe biznesit në Kosovë pohuan se Shqipëria mund të bëhet zëvendësuese e Serbisë në tregjet e Kosovës për hekurin dhe naftën.
Në vend të tretë në 2018-n është Spanja, i njëjti pozicion me një vit më parë. Drejt Spanjës u eksportuan 24.1 miliardë lekë mallra (7.8% e totalit të eksporteve), me një rritje të ndjeshme prej 61% dhe më të lartën në vlerë absolute. Produkti kryesor që eksportohet në Spanjë është nafta, pasi Bankers Petroleum e ka si destinacion kryesor Spanjën. Në peshë të vogël janë eksportet e këpucëve, kryesisht për nënkontraktorët fason që punojnë për grupin e njohur spanjoll, Zara.
Në vend të katërt ka kaluar Gjermania, duke i zënë vendin Greqisë. Drejt Gjermanisë u eksportuan 13.4 miliardë lekë, me një zgjerim vjetore prej rreth 24%. Kompanitë që prodhojnë sisteme kabllore për tregun gjerman kanë ndikuar në këtë performancë pozitive.
Në vend të pestë ka kaluar Greqia, e cila dikur ka qenë partneri i dytë i Shqipërisë, pas Italisë. Eksportet u rritën me 13% në 11.1 miliardë lekë. Që pas krizës greke që rrezikoi daljen e shtetit helen nga euro, kompanitë shqiptare, sidomos ato fason, filluan të kërkonin tregje të tjera eksportesh.
Në rritje të fortë ishin dhe eksportet drejt SHBA-së, me 55% dhe Zvicrës me 120%, por duke u nisur gjithsesi nga një bazë e ulët, duke zënë një peshë të papërfillshme në totalin e eksporteve.
Të gjitha shtetet kanë parë rritje të eksporteve shqiptare, me përjashtim të Kinës, që shënoi një rënie prej 32%. /Monitor/Telegrafi/