Telegrafi

Kosova, e 119-ta për lehtësi biznesi

Por, Kosova s’është në pozitën më të keqe në këtë listë karshi vendeve të rajonit. Kur është puna për kushtet për të nisur një biznes të ri, Bosnja e Hercegovina ndodhet në vendin e 160-të, në konkurrencë me 183 vende të botës.

Këto janë rezultatet e hulumtimit më të ri të Bankës Botërore, e cila për të hulumtuar përdori tre kritere – barrierat administrative dhe procedurat, kohën e nevojshme për të nisur një biznes dhe shpenzimet e përgjithshme.

Sipas raportit të Bankës Botërore, në Bosnje e Hercegovinë duhen të kalohen 12 procedura për nisjen e një biznesi, duhen për këtë 60 ditë, kurse shpenzimet për regjistrimin e firmës kapin 540 euro.

Nga vendet e rajonit, Shqipëria radhitet në vendin e 45-të, Kroacia 56-të, kurse Serbia në vendin e 83-të nga 183 shtetet, saktëson raporti i publikuar nga portali ‘24.sata, raporton Ekonomisti. Kosova në raportin e vjetshëm të Bankës Botërore ishte radhitur në vendin e 118-të, por sivjet ka rënë në pozitën e 119-të në botë.

Është interesant se Maqedonia ndodhet në vendin e 5-të në botë. Në këtë shtet regjistrimi i firmës së re bëhet në një vend, procedurat zgjasin tre ditë, kurse shpenzimet e përgjithshme kapin gjithsej 78 euro.

Sipas raportit të Bankës Botërore, për nga kushtet e afarizmit BeH ndodhet në vendin e 110-të në botë, Maqedonia në vendin e 38-të, Mali i Zi 66, Kroacia 84, kurse Serbia në vendin e 89-të. /Telegrafi/