Site icon Telegrafi

Kosova të konsiderojë programin e SHBA-së mbi Sistemin e Përgjithësuar të Preferencave për rivitalizim të ekonomisë pas COVID-19

Ndikimi i pandemisë COVID-19 në tregtinë globale po rezulton në çrregullime të paprecedentë të zinxhirëve të furnizimit, derisa prodhimi dhe konsumi dita ditës po shënojnë rënie të dukshme.

Anëtarët e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë diskutuan mbi këtë temë në një konferencë virtuale me ish-kongresmenin amerikan Jerry Weller, i cili tani është Këshilltar i Lartë në kompaninë ligjore të tregtisë ndërkombëtare Sandler, Travis & Rosenberg, P.A dhe Nicole Bivens Collinson, Drejtoreshë e Marrëdhënieve të Tregtisë Ndërkombëtare dhe Qeverisë në Sandler, Travis & Rosenberg, P.A., dhe Drejtoreshë Menaxhuese në zyrën në Washington.

Sipas njoftimit të Odës ekonomike amerikane, ish-kongresmeni Weller gjatë kësaj konference tha se pavarësisht rënieve në ekonomi duhet të merren parasysh avantazhet dhe mundësitë e krijuara në sektorët e importit dhe eksportit.

Ai potencoi se Kosova duhet të konsiderojë programin e SHBA-së mbi Sistemin e Përgjithësuar të Preferencave (GSP) si pjesë të instrumenteve të nevojshme për rivitalizim të ekonomisë pas COVID-19.

Për më tepër, ai u shpreh se në rrethana të tilla stabiliteti politik është mase i nevojshëm në të gjithë botën, meqë mos ekzistenca e këtij të fundit ndikon negativisht në strategjitë e rimëkëmbjes ekonomike.

Ish kongresmeni gjithashtu theksoi rëndësinë e shfrytëzimit të të gjithë mekanizmave bashkëpunues për vendet e prekura nga pandemia drejt uljes së dëmeve si ekonomike ashtu edhe shëndetësore.

Ekspertja e çështjeve ndërkombëtare tregtare, Nicole Bivens Collinson theksoi se pandemia ka ndikuar rëndë në ekonominë dhe tregtinë botërore, duke krijuar çrregullime në zinxhirët e furnizimit dhe tregjet financiare, derisa shtoi se nëse gjendja përmirësohet ka mundësi për rimëkëmbje financiare brenda dy viteve.

Sipas saj, edhe pse Kina ishte duke marrë një rol udhëheqës në mesin e investitorëve ndërkombëtarë në disa vende jo të zhvilluara duke pasur kështu një proporcion të madh në mallra botërore, pandemia e ka vënë në një pozitë shumë të vështirë ku edhe ka rezultuar me tkurrje negative në rritje.

Collinson gjithashtu tha se edhe ekonomitë më të zhvilluara po parashikojnë se viti 2020 do të jetë vit i rënies së ndjeshme ekonomike, gjersa përmendi masat e ndryshme kufizuese të cilat kanë ndikim jashtëzakonisht negativ në tregtinë globale.

Sipas saj, kufizimet e tilla kanë shkaktuar dhe mund të shkaktojnë probleme të reja meqë jo të gjitha ekonomitë prodhojnë respiratorë, barna apo produkte të tjera mbrojtëse për t’u përballur me krizën shëndetësore, ashtu si nuk prodhojnë edhe produkte ushqimore të konsumuara në mënyrë të përditshme.

Frymëzim Isufaj, zëvendësambasador i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithashtu foli mbi mundësitë ekzistuese për kompanitë kosovare që burojnë nga Sistemi i Përgjithësuar i Preferencave, duke përmendur se Ambasada e Kosovës në Amerikë do të ishte e lumtur të ofronte asistencën e saj për ndërmarrjet e interesuara të eksportojnë në SHBA.

Ndërsa, ndërmarrësit anëtarë të Odës Amerikane, të prekur shumë nga ndikimi i pandemisë në veprimtaritë e tyre, morën pjesë në mënyrë në këtë konferencë, duke diskutuar mbi pasiguritë e kohëzgjatjes së krizës dhe ndikimit të shtuar që ajo vazhdon ta ketë në aktivitetin ekonomik në përgjithësi, por edhe në tregti në veçanti.  /Telegrafi/

Exit mobile version