Shumica e deputetëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës sot mbështeti anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
Pro anëtarësimit të Kosovës votuan 131 deputetë, kundër 29 dhe 11 abstenuan.
Asnjë nga amendamentet e propozuara nga Serbia kundër hyrjes së Kosovës në Këshillin e Evropës nuk u miratuan dhe si të tilla u hodhën poshtë.
Votimit i parapriu një debat që zgjati më shumë se dy orë. Shumica e deputetëve që morën fjalën e mbështetën anëtarësimin e Kosovës. Serbia e kundërshtoi anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
Çështja tash kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët do të vendosin në muajin maj nëse Kosova do të bëhet anëtarja e 47-të e organizatës.
Takimi i radhës i Këshillit të Ministrave do të zhvillohet në mesin e muajit maj. Këshilli i Ministrave të Jashtëm në Këshillin e Evropës takohet një herë në vit, tradicionalisht në muajin maj.
Por, ka zëra në qarqet diplomatike që thonë se anëtarësimi i Kosovës mund të mos vendoset fare në agjendën e takimit e ministrave në maj.
Kjo lidhet edhe me aktivitetin e vendeve të QUINT-it, Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Britania e Madhe, Franca dhe Italia, të cilat zakonisht e mbështesin Kosovën, por tani duan të shohin nga Kosova lëvizje drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. /Telegrafi/