Përzgjedhësi Albert Bunjaki thotë se futbollistëve më të mirë shqiptarë do t’u niset menjëherë ftesa, pasi Federata e Futbollit e Kosovës të marrë votat për pranim në UEFA në Kongresin e rregullt që do të mbahet më 3 maj në Budapest, shkruan sot Koha Ditore.
Trajneri nuk ka dashur të flasë me emra. Por ka thënë se pa përjashtuar askënd, do të kërkojë takim me të gjithë për t’ua dorëzuar edhe ftesën zyrtare që të përfaqësojnë Kosovën.
“E kemi obligim që t’ua hapim dyert të gjithë futbollistëve shqiptarë që përfaqësojnë shtetet e ndryshme të Evropës dhe normalisht zgjedhja është e tyre se a do të luajnë për Kosovën apo të vazhdojnë të luajnë në ato shtete ku janë aktualisht. Është e drejtë imja që t’i ftoj të gjithë. Kosova e ka këtë mundësi", ka thënë Bunjaki.