Për të parën herë një reprezentacion i Kosovës në Taekwondo do të marrë pjesë në një Kampionat Botëror. Bëhet fjalë për botërorin e kategorive të reja, mosha prej 5 deri 13 vjet.
“Ndonëse do të jetë për grupmoshat e reja (5-13 vjet) me ftesë të World Children Taekwondo Union reprezentuesit tonë do të garojnë me sportistët më të mirë nga e tërë Bota për titullin e me të mirit në botë. Ky është viti i dytë që organizohet ky Kampionat (i pari ishte organizuar në vitin 2013) dhe do të zhvillohet në Sindelfingen të Gjermanisë më 1 dhe 2 Shkurt”, thuhet në njoftimin e Federatës së taekwondos së Kosovës.
Kosovën do ta përfaqësojnë Sylejman Vizdiklar në 26kg, Leon Jahiri -30Kg dhe Dionis Osmani -34 Kg, por do tw ketë edhe arbitra. Delegacioni i FTK-së udhëhiqet nga Trajnerët nga Maxhun Berisha dhe Valon Selmani dhe Rexhep Halitit ndihmëstrajner.
“Pas një angazhimi maksimal te Sekretarit Gjeneral të FTK-se, për të parën herë në një Kampionat Botëror do të ndajnë drejtësinë edhe 3 referët nga Kosova; Rinor Koca, Bunjamin Havolli dhe Durim Berisha të cilët janë licencuar në vitin 2011 me licencë ndërkombëtare për referim”, thuhet në njoftim.
“FTK-ja është anëtarësuar në Federatën Botërore në vitin 2013, mirëpo për shkak të problemeve me viza (pasi Kampionati Botëror vitin e kaluar ishte organizuar në Meksikë) që i kanë shtetasit e Kosovës me vendet që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës nuk ka mundur të prezantohet”, përfundon njoftimi i FTK-së. /Sporti1/Telegrafi/