Telegrafi

Kosova do të jetë pjesë e Kombeve të Bashkuara

Gjatë intervistës ekskluzive për këtë gazetë me renome në Turqi, Hoxhaj ka thënë se shtrirja gjeografike e njohjeve të Kosovës është globale dhe se Republika e Kosovës do të ekzistojë gjithnjë si shtet i pavarur.

Ai ka theksuar se anëtarësimi në Kombet e Bashkuara do të arrihet hap pas hapi, duke shtuar se nuk ka asnjë dilemë se një ditë Republika e Kosovës do të jetë pjesë e OKB-së.

“Republika e Kosovës është një fakt i cili po pranohet çdo ditë e më shumë jo vetëm nga Serbia por edhe nga shtetet e tjera të botës, andaj nuk ka asnjë arsye që shtyhet njohja e plotë e Kosovës”, ka thënë kryediplomati kosovar.

Lidhur me proceset integruese euroatlantike, Hoxhaj tha se si një shtet i pavarur, Kosova tani është në faza të ndryshme të anëtarësimit në organizata të ndryshme ndërkombëtare, në veçanti në BE.

“Që nga fillimi aspirata e jonë ka qenë që t’i bashkohemi institucioneve euro-atlantike. Vitin e kaluar ishte një hap shumë i suksesshëm në avancimin e agjendës evropiane dhe ne do të vazhdojmë përpjekjet në këtë drejtim”, ka thënë Hoxhaj.

Në intervistë, Hoxhaj ka folur edhe për marrëdhëniet me Turqinë, duke vlerësuar se ky shtet është partner strategjik i Kosovës. /Telegrafi/