Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA), ditë më parë i ka dhënë dritën e gjelbër Kosovës që të luajë ndeshje miqësore ndërkombëtare.
Ndonëse akoma nuk dihet se cila kombëtare do të jetë kundërshtari i radhës, megjithatë, i pari i bankinës së përfaqësues sonë, thotë se Kosova është e gatshme për ndeshjet ndërkombëtare.
“Jemi të gatshëm të vazhdojmë procesin e punës drejt krijimit të një Kombëtare të fortë dhe normalisht do duhet pakë kohë”, ka thënë Bunjaki për KosovaPress.
Përzgjedhësi Bunjaki ka folur edhe për futbollistët shqiptare që luajnë në klubet e ndryshme evropiane si Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Valon Behrami, Lorik Cana e shumë të tjetër. Ai thotë se nuk është profesionale që në ndeshjet miqësore të ftohen yjet shqiptar, por ai thotë se do të vjen dita kur edhe ata do t’i bashkohen përfaqësues sonë.
“Nuk është profesionale që ne tani të kërkojmë që lojtarët të cilët janë faktor në kombëtaret tjera t’i lejnë ndeshjet kampionale e të na bashkohen neve. Do të vijë momenti kur ata do të na bashkohen, por duhet te kemi durim”, ka theksuar Bunajki.
“Sidoqoftë ka individ të cilët edhe më herët na janë bashkuar dhe sigurisht se edhe tani do të ndodh një gjë e tillë”.
Bunjaki thotë se nuk ka rëndësi se cila kombëtare do të jetë kundërshtari i Kosovës në ndeshjen e parë miqësore ndërkombëtare. Sipas tij, e rëndësishme është të mbahet kontinuiteti i ndeshjeve të përfaqësues sonë.
“Më rëndësi është te kemi kontinuitetin e ndeshjeve gjatë këtyre dy viteve se sa më kënd do të luajmë. Kampionati Botëror 2018 do të vijë më shpejt se sa ne që mendojmë. Jam i bindur se Kosova do të ketë një kombëtare të fortë dhe qysh tash kanë nisur të frikësohen shumë vende”, ka përfunduar Bunjaki.
Ai ka shtuar se Kosova do të ketë paraqitje dinjitoze në arenën ndërkombëtare. /KP/Telegrafi/