Telegrafi

Kosova dhe Shqipëria të gatshme për bashkëpunim ekonomik

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, deklaroi se shifrat e bashkëpunimit Kosovë–Shqipëri për këtë vit janë inkurajuese dhe ka rritje të shkëmbimeve tregtare.

Ai gjatë një takimi me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tha se kjo tregon se potencialet e Kosovës për të eksportuar në pjesën tjetër të kombit janë shumë të mëdha.

Gjatë takimit ambasadori Minxhozi dhe kreu i OEK-ut, Rukiqi, u dakorduan për disa iniciativa që mundësojnë rritjen e komunikimit mes dy komuniteteve të biznesit për të cilat duhet edhe vula e vendimmarrjes së dy qeverive përkatëse në kuptim të dhënies së përkrahjes dhe eliminimit të barrierave.

Rukiqi u shpreh i gatshëm për të vazhduar komunikimin që është shumë i rëndësishëm duke e ditur që Kosova dhe Shqipëria janë shtete që kanë interes primar të vazhdojnë bashkëpunimin ekonomik, tregtar dhe mundësitë për investime të përbashkëta në sektorin privat.

Ndryshe, në takim u theksua rëndësia e rritjes së efikasitetit të punës dhe bashkëpunimit për heqjen e barrierave tregtare përmes propozimeve konkrete nga bizneset. Përkushtimi më i madh në këtë drejtim dhe ndryshimet e duhura në legjislacion mund të japin rezultat shumë pozitiv për bizneset e të dyja vendeve. /Telegrafi/