Telegrafi

Kosova dhe Shqipëria, të bëhen një

Kosova dhe Shqipëria, si dy shtete të pavarura, mund të jenë një dhe unike në shumë sfera – si ato ekonomike po ashtu arsimore e kulturore.

Platforma e Qeverisë Haradinaj parasheh hapa dhe veprime konkrete për intensifikim të marrëdhënieve tona ndërshtetërore, në shkallën më të lartë në të gjitha nivelet dhe kapacitetet.

Pa dashur dhe në pamundësi që të përfshij gamen e gjerë të fushave dhe marrëdhënieve intensive që duhen krijuar, do të citoj disa pjesë, të cilat parashihen të realizohen me programin e Qeverisë Haradinaj::

Përfshirja e Kosovës në rrjetin rajonal të gazit natyror: Zhvillimi i infrastrukturës së gazit natyror për një treg të vogël, siç është rasti i Kosovës, paraqet sfidë të madhe, mirëpo duke qenë se Kosova është palë kontraktuese e Komunitetit të Energjisë, janë hapur mundësitë reale për përfshirjen e saj në rrjetin rajonal të gazit natyror. Zhvillimet rajonale, përkatësisht projekti i Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP), i ka krijuar Kosovës mundësi të mëdha për t’u përfshirë në një të ardhme në rrjetin ndërkombëtar të gazit natyror. Në këtë rrafsh, përfshirja e projektit ALKOGAP (gazsjellësi Shqipëri- Kosovë) në Listën e projekteve me prioritet të Komunitetit të energjisë paraqet një rast ideal që do të shfrytëzohet në periudhën e ardhshme katërvjeçare.

Zonë e përbashkët tregtare energjetike: Krijimi i tregut të përbashkët me Shqipërinë si një zonë e përbashkët tregtare energjetike Kosovë-Shqipëri, si hap i parë drejt integrimit në tregun e përbashkët të Komunitetit të Energjisë.

Ruajtja e identitetit, kulturës dhe gjuhës në diasporë: Organizimi i procesit të mësimit plotësues në diasporë, mbetet ndër sfidat kryesore. Zbatimi i marrëveshjes ndërshtetërore me Republikën e Shqipërisë, për organizimin e përbashkët të mësimit plotësues në diasporë, është potenciali i kryesor për ri-organizmin e procesit të mësimit të gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë. Veprimi i parë për këtë proces mbetet nënshkrimi i marrëveshjes për financimin për mësimit plotësues në Diasporë, si vazhdimësi e marrëveshjes së nënshkruar në mars të vitit 2015.

Investimet në kulturë nuk janë vetëm promovim i vlerave dhe identitetit tonë. Në një të ardhme të afërt ato do të shndërrohen në gjenerues të të hyrave për shoqërinë dhe shtetin, si dhe aset i fuqishëm për studim dhe krijim.

Ka edhe shumë fusha ku duhet të bashkëpunohet edhe më shumë, për t’u sjellë vendeve tona jo vetëm profit më të madh ekonomik, por edhe emancipim kulturor dhe përafrim shpirtëror. Ndërkaq bashkimi i plotë i shqiptarëve do të duhej të bëhej përmes integrimeve euroatlantike.