Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) dhe Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL) në Shqipëri, kanë nënshkruar më 30.03.2022 në Prishtinë, Memorandum bashkëpunimi i cili parasheh bashkëpunimin ndërshtetëror në ngritjen e cilësisë në arsimin e lartë.
Sipas njoftimit për media thuhet se marrëveshja është nënshkruar nga drejtori i AKA-së, Naim Gashi, dhe drejtoresha e ASCAL-it, Xhiliola Bixheku. Gashi ka thënë kjo marrëveshje do të kontribuojë në rritjen e cilësisë së arsimit të lartë dhe avancimin e studimeve akademike në të dyja vendet tona, përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së institucioneve të arsimit të lartë.
Ai shtoi se Memorandumi ka për qëllim nxitjen për zbatimin e standardeve dhe procedurave evropiane (ESG) në sistemet e arsimit të lartë dhe bashkëpunim në plotësimin e kritereve dhe rekomandimeve të Asociacionit Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) dhe Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).
Drejtoresha e ASCAL-it, Xhiliola Bixheku ka thënë se ky bashkëpunim do të jetë i frytshëm për të dyja palët në ndihmesën që sjell për ruajtjen e standardeve cilësore në institucionet tona të arsimit të lartë dhe programeve mësimore që ato ofrojnë.
“Në këtë kuadër, qëndrojnë edhe fokusi dhe përpjekjet tona të pandërprera për të vendosur në sistemin e arsimit tonë të lartë standarde dhe procedura evropiane. Për ASCAL është një detyrim ligjor dhe një sfidë pjesëmarrja në ENQA, për të cilën mendojmë se do të kemi edhe ndihmën e pakursyer të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA)”, ka thënë Bixheku.
Në Memorandumin e nënshkruar sot thuhet se “AKA dhe ASCAL angazhohen që të bashkëpunojnë në shkëmbimin e përvojave të mira ndërmjet dy shteteve në fushën e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë; Shkëmbimin e informacionit rreth cilësisë, rezultateve dhe akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë dhe programet që ato ofrojnë; Nxitjen e shkëmbimeve të personelit akademik dhe studentëve që angazhohen në proceset e akreditimit në të dy shtetet (si anëtarë të grupit të vlerësimit të jashtëm); Aplikimin e përbashkët në projekte rajonale dhe ndërkombëtare në fushën e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë; Shkëmbimin e njohurive rreth rregulloreve, udhëzimeve, manualeve apo çdo akti tjetër ligjor që rregullon fushën e sigurimit cilësisë në arsimin e lartë; Shkëmbimin e stafit për shkëmbimin e eksperiencave midis tyre”. /Telegrafi/