Site icon Telegrafi

Kosova dhe Shqipëria konkretizojnë projektet në infrastrukturë e turizëm

Ministri i Mjedisit dhe i Planifikimit Hapësinor (MMPH), Ferid Agani, ka pritur sot në një takim ministren e Zhvillimit Urban të Shqipërisë, Eglantina Gjermeni, me ç’rast kanë diskutuar lidhur me realizimin e projekteve të përbashkëta ndërkufitare, posaçërisht në fushën e turizmit dhe të infrastrukturës rrugore.

Grupe punuese nga të dyja vendet kanë punuar qe nëntë muaj dhe kanë dalë me katër projekte konkrete, përfshirë krijimin e një brezi të gjelbër me shtigje për këmbësorë e çiklistë, si dhe shfrytëzimin e përbashkët të liqenit të Fierzës.

Agani dhe Gjermeni janë pajtuar që të ngrihet një komitet drejtues, i cili do të vazhdojë punën në konkretizimin e këtyre projekteve, për t’i bërë të gatshme për financim nga dy qeveritë, si dhe nga fondet e Bashkimit Evropian që janë të destinuara për zhvillimin e bashkëpunimit rural ndër-rajonal.

“Grupet e punës të cilat janë ngritur nga ana e dy ministrive kanë zhvilluar një aktivitet sistematik dhe kanë punuar së bashku në këtë periudhë nëntëmujore, në mënyrë të rregullt, dhe kanë dalë para nesh si ministra me 4 projekte konkrete të bashkëpunimit ndërkufitar të cilat konkretizojnë bashkëpunimin e komunave të Gjakovës dhe Prizrenit në anën e Republikës së Kosovë me bashkitë e Hasit, Kukësit dhe Tropojës në Republikën e Shqipërisë”, tha ministri Agani, në një konferencë me gazetarë.

Ai shpjegoi se bëhet fjalë për projekte të cilat parashohin bashkëpunim në fushën e turizmit, zhvillimit ekonomik, shfrytëzimin e resurseve natyrore, të liqenit të Fierzës, krijimin e një brezi të gjelbër ku do të ndërtohen staza shëtitore, një shteg për çiklistë dhe përmbajtje të tjera turistike.

“Më tutje, parashihet ndërtimi i infrastrukturës rrugore që do të lidhin fshatrat në këto zona, duke e përmirësuar cilësinë e jetesës, duke e përmirësuar qasjen në shërbime arsimore, shëndetësore, duke e shtuar kohezioni social të komuniteteve që jetojnë në të dy anët e kufirit, pra duke krijuar perspektiva të reja të zhvillimit ekonomik, posaçërisht në fushën e turizmit”, theksoi ministri Agani.

“U pajtuam me ministren Gjermeni që të ngremë një komitet drejtues, i cili do të vazhdojë punën në konkretizimin e këtyre projekteve, për t’i bërë të gatshme për financim nga dy qeveritë dhe nga donatorët; dhe t’i qasemi edhe fondeve të IPA-s që janë të destinuara për zhvillimin e bashkëpunimit rural”.

Nga ana e saj, ministrja Gjermeni, foli dhe për bashkëpunim në fusha të tjera ndërmjet dy ministrive. Ajo theksoi se sfidat që dy vendet kalojnë janë të përbashkëta dhe përmendi me këtë rast përvojën që Shqipëria mund t’i japë Kosovës në legalizimin e ndërtimeve pa leje, që këtu është ende në proces. /Telegrafi/

Exit mobile version