Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica ka pritur sot në takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovës, Qemal Minxhozi, për të diskutuar lidhur me hapat në funksion të zbatimit të Marrëveshjes për Mobilitet për Punë, që është nënshkruar në mbledhjen e fundit të dy qeverive.
Reçica është shprehur se janë të gatshëm për ta jetësuar sa më parë këtë marrëveshje, që për qëllim ka përmirësimin e fushës së punësimit dhe aftësimit profesional, integrimin e një tregu të përbashkët të punës Kosovë-Shqipëri, përmbushjen e nevojave të qytetarëve për lëvizje të lirë të punëtorëve, hapjen e horizonteve të bashkëpunimit dhe integrimit andej dhe këndej kufirit.
Më 2 tetor është mbajtur mbledhje e gjashtë e dy qeverive në Tiranë në përpjekje për të thelluar bashkëpunimin.
Në takimin e fundit, qeveritë sërish premtuan heqjen e barrierave kufitare për tregtinë dhe për këtë nënshkruan 13 marrëveshje, memorandume e protokolle.
Që prej janarit të vitit 2014 kur u realizua takimi i parë në Prizren, numri i marrëveshjeve të nënshkruara në këto takime arriti në 83. /Telegrafi/