Telegrafi

Kosova dhe Shqipëria flasin për financimin e projekteve strategjike

Ekspoforumi “Mënyrat e reja të financimit të projekteve strategjike Kosovë – Shqipëri” do të mbledhë sot në Prishtinë përfaqësues institucionalë të Kosovës dhe të Shqipërisë, kompani nga vendi e diaspora, si dhe donatorë, për t’i diskutuar objektivat strategjike të të dy vendeve dhe mënyrat e financimit të projekteve të përbashkëta, njoftoi Ministria e Diasporës.

Ekspoforumit i paraprin panairi, përkatësisht ekspozimi i prodhuesve nga diaspora në Kosovë dhe i ndërmarrjeve publike për zhvillimin e dy vendeve.

Gjatë forumit do të diskutohet për objektivat strategjike për sektorët e energjisë dhe të minierave, projektet strategjike me interes të përbashkët, metodat e financimeve, etj.

Në fund të punimeve, forumi do të dalë me konkluzione për mundësitë që ofron ky sektor, hapat që duhet të ndërmarrin institucionet për stimulimin e tij dhe rolin e sektorit privat, me qëllim të promovimit të ideve inovative dhe krijimin e vendeve të reja të punës, thuhet në njoftim.

Ekspoforumi është bashkorganizim i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Ministrisë së Diasporës, Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë së Republikës së Kosovës, Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë së Republikës së Shqipërisë dhe Konfindustrisë. /kp/