Nisma e kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emanuel Macron, për një takim në Paris në përpjekje për të zhbllokuar bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë, dështoi, duke lënë pas vetes debatet se kush ishte fajtor dhe çfarë të bëhet më pas?
Nismëtarët hoqën dorë meqë palët nuk ndryshuan qëndrimet e tyre. Serbia kërkoi heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe si kusht për të vazhduar bisedimet, ndërsa Kosova kërkoi që të mos vihen kushte për bisedimet.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tha se gjermanët edhe francezët e kanë kuptuar se kush nuk dëshiron bisedime dhe kush i frenon ato.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se nuk e di përse nuk do të mbahet takimi i Parisit, ndërsa theksoi se Kosova është e gatshme të ulet në tryezën e bisedimeve, por pa kushte dhe kërkon krijimin një kuadrit të një marrëveshjeje përfundimtare që çon në njohje të dyanshme.
Të shtunën, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shkroi në rrjetet sociale se “vendimet dhe veprimet e nxituara, të pakoordinuara dhe të gabuara strategjikisht të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, kanë dëmtuar rëndë respektin dhe mbështetjen e partnerëve tanë perëndimorë për Kosovën. Si rrjedhojë, partnerët tanë ndërkombëtarë, fatkeqësisht sot e mbajnë Kosovën përgjegjëse për bllokimin e dialogut, për dështimin e takimit të paraparë në Paris dhe për prolongimin e vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë”.
Ai shkroi mes tjerash se “ngërçi në dialog dhe anulimi i Samitit të Parisit për të dy vendet, Kosovën dhe Serbinë, shënon hap prapa për të ardhmen evropiane. Prandaj, i bëj thirrje BE-së dhe SHBA-së që të mos i ndalin përpjekjet e tyre për rifillimin e dialogut dhe arritjen e marrëveshjes paqësore”.
Më vonë të shtunën, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj shkroi se “ishte gabim që sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës të paraqitej si pjesë e dialogut me Serbinë”.
“Mbrojtja e këtyre shtyllave të shtetit ka një çmim dhe sot populli i Kosovës është krenar që këto i ka prapë të pacenuara. Dëmi që i është shkaktuar Kosovës duke bërë pazar me sovranitet dhe integritet është i madh, por bashkë jemi vënë në mbrojtje të shtetësisë, integrimeve euro-atlantike dhe zhvillimit ekonomik”, shkroi ai.
Shtetet e Bashkuara ndërkaq u bënë thirrje palëve që “të heqin pengesat, t’i shmangin provokimet dhe t’u kthehen bisedimeve”.
Në një deklaratë me shkrim për programin në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës, Departamenti amerikan i shtetit thekson se “ne jemi të gatshëm që t’i dëgjojmë dhe ndihmojmë të dyja palët dhe Bashkimin Evropian si ndërmjetësues, që të gjejnë zgjidhje, për të cilën do të pajtohen të gjithë”.
Profesori i Universitetit Johns Hopkins, Edward Joseph, i tha po këtij programi se anulimi i takimit të Parisit është shenjë se Shtetet e Bashkuara duhet të përfshihen me shumë në bisedimet Kosovë – Serbi.
Presidenti serb, tha ndërkaq se “Serbia kërkon kompromis, ndërsa sa i përket njohjes së pavarësisë së Kosovës, edhe nëse i sjellin 350 milionë amerikanë, nuk mund të ndodhë”.
Procesi i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mbetet i bllokuar që nga nëntori i vitit të kaluar, pas vendosjes së tarifave nga ana e qeverisë së Kosovës ndaj mallrave serbe si kundërpërgjigje ndaj qasjes serbe ndaj shtetësisë së Kosovës.
Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë pritet të takohen në Poznan të Polonisë në kuadër të takimit të lartë të vendeve të Ballkanit Perëndimor që mbahet nga 3 deri më 5 korrik, por nuk pritet që ai takim të ushtrojë ndonjë ndikim në ngërçin e bisedimeve ndërmjet të dyja palëve. /voa/