Telegrafi

Kosova dhe Maqedonia zgjerojnë bashkëpunimin në fushën e mjedisit

Kosova dhe Maqedonia synojnë të zgjerojnë bashkëpunimin në fushën e mjedisit dhe të planifikimit hapësinor. Një memorandum i ri bashkëpunimi do të nënshkruhet ndërmjet dy qeverive, në mbledhjen e përbashkët, që pritet të mbahet së shpejti.

Për këtë janë pajtuar ministri kosovar i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor të Maqedonisë, Nurhan Izairi, gjatë një takimi që kanë zhvilluar të mërkurën në Prishtinë.

Në një konferencë për gazetarë, ministrat Agani dhe Izairi bënë të ditur se kanë diskutuar për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e menaxhimit ndërkufitar të ujërave, ndryshimeve klimatike dhe për veprimet e përbashkëta të projekteve nga sfera e mjedisit jetësor para institucioneve ndërkombëtare.

Me theks të veçantë u biseduan dhe mundësitë për fitimin e ndihmës teknike dhe financiare nga Komisioni Evropian dhe donatorët të tjerë për realizimin e projekteve ndërkufitare për mbrojtjen e lumit Lepenc dhe të Malit Sharr.

“Republika e Kosovës është në një aktivitet intensiv të përafrimit të legjislacionit të saj në fushën e mjedisit me ‘Acquis Communautaire’, pra me legjislacionin e bashkimit evropian dhe në këtë drejtim puna, përvoja dhe rezultatet e deritanishme të institucioneve të Maqedonisë do të jenë shumë të dobishme për neve”, tha Agani.

Ndërkohë, sipas ministri kosovar, Kosova mund t’i japë ndihmë Maqedonisë në promovimin e legjislacionit rreth parkut nacional të Sharrit në territorin maqedon, duke pasur parasysh se Kosova e ka aprovuar këtë akt ligjor para shumë vitesh dhe ka një përvojë në këtë aspekt.
Fillimi i ndërtimi i autostradës nga ana e Kosovës në drejtim të Hanit të Elezit, si dhe nga pjesa e Maqedonisë që është në fazën e studimit të fizibilitetit, imponon punën e përbashkët në vlerësimin e ndikimit mjedisor. “Kjo vlen edhe për akset hekurudhore ndërmjet dy shteteve”.

Nga ana e tij, ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor i Maqedonisë, Nurhan Izairi, bëri të ditur se temë e rëndësishme e bisedës ishte dhe bashkëpunimi i ndërsjellë në menaxhimin e pellgut të lumit Lepenci. “Gjithashtu biseduam për një bashkëpunim të ndërsjellë dhe ndihmës që mund të japë Kosova gjatë shpalljes së Malit Sharr park nacional. Biseduam dhe për tema të tjera, të cilat në aneks-memorandumin që do ta nënshkruajmë do t’i definojmë dhe me afate të caktuara kohore”, theksoi Izairi. /Telegrafi/