Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, priti sot në takim ambasadorin e Kuvajtit në Shqipëri, Fayez Mishari Al Jassim, të cilin e informoi rreth angazhimeve dhe planeve të MPMS-së, në fushat përkatëse.
Ai e falënderoi ambasadorin e Kuvajtit për përkrahjen e vazhdueshme që shteti i Kuvajtit po i jep Republikës së Kosovës në të gjitha proceset e saj më të rëndësishme, përcjell Telegrafi.
Ndërsa, diplomati Al Jassim falënderoi ministrin Reçica për pritjen dhe takimin konstruktiv dhe ritheksoi edhe njëherë mbështetjen e pa rezervë të shtetit të Kuvajtit për Republikën e Kosovës.
Reçica dhe Al Jassim u dakorduan për thellim të mëtutjeshëm të bashkëpunimit në çështje prioritare, nëpërmjet bashkërendimit të veprimeve në fusha përkatëse dhe shikimin e mundësive të bashkëpunimit të përafërt me shtetin e Kuvajtit në fushën e punësimit dhe mirëqenies se qytetarëve në përgjithësi. /Telegrafi/