Kushtetuta e një shteti është gur themeltar dhe fondament i rëndësishëm mbi të cilën funksionon, lëviz dhe ecën mbarë shteti i një vendi në proceset e tij demokratike, prosperuese, progresive dhe bashkëkohore. Ky akt më i lartë juridik është pjesa më e rëndësishme e zhvillimeve tjera pozitive që mund të ndjek shteti i mbikëqyrur i Kosovës.
Po ashtu ky akt i lartë mban gjallë sovranitetin, pushtetin dhe vetë qeverisjen e shtetit të mbikëqyrur të Kosovës, duke e zbatuar atë, dhe jo duke e lënë në arkivin e historisë së shkuar, dhe duke u marrë me ligje sipas qejfeve dhe emocioneve të momentit.
Kosova që nga bërja e saj shtet i mbikëqyrur ende nuk ka arritur ta fus në jetën e saj dhe t’i shtrij vijat e ligjit në të gjitha parametrat e saj duke u bazuar në Kushtetutën, e cila i mbushi një vjet dhe ende po fle si dhe ka filluar ta mbuloj myku i harresës dhe i moszbatimit të saj.
Miratimi i këtij akti juridik para një viti është i rëndësishëm, por lënia e këtij bazamenti kryesor – me anë të së cilit shteti i mbikëqyrur i Kosovës duhet të mbështetet – do të thotë ikje nga ligjshmëria e tërë procesit të mëparshëm të përpjekjeve të Kosovës dhe zbehja apo më mirë të thuhet humbja e vlerës dhe e formës së shtetit të mbikëqyrur të Kosovës në procesin e saj.
Sepse, në rast se një shtëpi i ka vënë themelet mbi bazamentin e saj të fortë kushtetues, ajo nuk do lëkundet, por nëse ajo i ka vënë themelet mbi hijen ose mbi qejfet dhe dëshirat personale, apo ligjet e tjera të shpikura të rastit, ajo gjithsesi shumë shpejt ose më vonë do shembet dhe do i dalë boja si dhe forma e rrejshme e saj.
Ndërkaq demokracia apo qeverisja e shumicës ka si qëllim të saj dashurinë për atdhe, pra qëllimi i saj i mirë në një shtet ku bazë e tij ligjore është Kushtetuta, pastaj, ku të gjitha organet e një shteti qëndrojnë të forta mbi këtë akt të lartë juridik, gjithashtu është edhe vetëmohimi deri në sakrificën e fundit për ta zbatuar dhe ta bërë pjesë të jetës së tij shtetërore.
Prandaj, në rast se Kushtetuta nuk zbatohet dhe nuk bëhet pjesë e jetës së shtetit të mbikëqyrur të Kosovës, ajo do ta ndiej veten si një organizëm i pakontrolluar i pavëzhguar, tepër dyshues dhe më në fund do ta helmonte edhe ardhmërinë dhe procesin e saj të ecjes drejt zhvillimeve tjera ndërkombëtare si dhe të funksionimit të saj të brendshëm.
Kushtetuta e pamaterializuar, e pa futur në funksion, do të thotë një humbje e dinjitetit të saj një humbje e vetë arsyes dhe rendit juridik e ligjor të shtetit, dhe një dalje jashtë e rolit të saj në ndërtimin e demokracisë së shëndoshë, shtetit juridik dhe të kuptimit qytetar në funksion të së cilës ai edhe mbahet brenda rendit juridik dhe shtetëror.
Është absurde nëse pushtetarët e shtetit të mbikëqyrur të Kosovës mendojnë se Kosova është duke shkuar në rrugë të mbarë kur nuk hyn në jetë Kushtetuta e saj. Është absurde nëse pushtetarët duke u korruptuar dhe duke keqndërtuar mendojnë ta çojnë përpara ardhmërinë e Kosovës. Është absurde nëse ata duke u vetëkënaqur dhe duke mashtruar popullin mendojnë ta ndërtojnë një faqe të re të Kosovës karshi botës demokratike.
Mungesa e kushtetutshmërisë në një shtet do të thotë një kërcënim për rendin, një kërcënim për qytetarin e tij, një kërcënim për demokracinë, si dhe një lënie hapësire ku pushtetarët do mund të veprojnë si të donë dhe ta drejtojnë ardhmërinë e Kosovës sipas dëshirave të tyre dhe pasioneve verbuese.
Duhet ditur një gjë, se edhe shtetet-parti – të fenomeneve të rralla në historinë e botës, që nga diktatura e deri te kërcënimet tjera totalitare – kanë çuar ujë në mullirin e çrregullimeve dhe të humbjes së peshës politike dhe largimit të shtetit duke futur partinë si qëllim final dhe ligjet e saj si pjesë të shtetit.
Kosova nuk duhet të i ngjasoj bishës me tri kokë ajo duhet të jetë një vend ku ligjshmëria dhe demokracia e zhvillimi të mbahen si qëllime për të ardhmen e saj në familjen e Bashkimit Evropian. Shteti i mbikëqyrur i Kosovës për të jetuar dhe ekzistuar është i varur nga disa gjëra thelbësore: Kushtetuta, ekonomia e qëndrueshme, demokracia qytetare, diplomacia aktive, siguria, paqja, stabiliteti etj etj.
Administrata shtetërore duhet të bazohet në drejtësi dhe në Kushtetutë e ligjshmëri, duke krijuar kështu hapësirë që demokracia të ndihet dhe qytetarët ta kuptojnë domethënien e rendit dhe ligjit shtetëror, pastaj ta kuptojnë edhe ardhmërinë e tyre se – duke ndërtuar së bashku, dhe duke respektuar rendin dhe ligjin, do mund të arrihet deri të një shtet juridik i cili i përmbush kriteret e demokracisë bashkëkohore dhe se rruga për integrim në strukturat euroatlantike do jetë më i afërt.
Qytetarët duke kuptuar se shteti i tyre është në funksion të së mirës së të gjithëve dhe duke kuptuar se Kushtetuta është një akt juridik më i lartë, e që ata i bënë me personalitet e identitet shtetëror, si dhe ia jep ngjyrën e vërtetë demokracisë dhe shtetit juridik. Atëherë për ta shteti do të bëhet më i kapshëm dhe më i hapur në vëllimin dhe formën e zbatimit të demokracisë qytetare dhe shikimit të ardhmërisë së sigurt drejtë proceseve të reja.
Dhe krejt në fund, nuk është e nevojshme dhe e arsyeshme që të përjashtohet zbatueshmëria e Kushtetutës së Kosovës, gjithashtu nuk është gjithmonë e nevojshme që të bëhen ligjet, por është e rëndësishme që ato të gjejnë zbatim në jetën e shtetit të mbikëqyrur të Kosovës.
Kështu që, duke u marrë me ligje të tjera dhe me shpikje të tjera të rastit, pastaj, duke harruar që Kosova ka një Kushtetutë dhe nëse ka ajo duhet të implementohet në praktikë, shteti i mbikëqyrur i Kosovës shumë shpejt do mund ta zë një stuhi politike e juridike e cila do mund të zgjaste dy apo tri vite derisa të rivendoset shteti juridik dhe një demokraci e shëndosh si dhe të marrë një pamje të vërtetë evropiane.
Ndërkaq, sot shteti i mbikëqyrur i Kosovës është shëndetlig, i pasigurt, pastaj po shkon drejtë zmadhimit të dhimbjeve dhe plagëve deri në të çara të theksuara, dhe në një mënyrë apo tjetër po krijohet një hendek i madh në mes të ekzistencës së plotë kësaj ndërtese apo plasaritjes shkatërruese, që do thoshte goditje e fatit që ia përgatitën pushtetarët e saj.