Telegrafi

​Kosova dhe Italia thellojnë bashkëpunimin për kulturën e trashëgiminë kulturore

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi priti sot në takim ambasadorin e Italisë në Prishtinë, Nicola Orlando, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin mes dy vendeve në fushat e kulturës dhe trashëgimisë kulturore.

Ambasadori Orlando tha se dy vendet kanë një bashkëpunim të mirë në këto fusha dhe se është e rëndësishme që të vazhdojë ky bashkëpunim me MKRS-në sidomos në fushën e trashëgimisë kulturore e kulturës në përgjithësi.

Ministrja Dumoshi, theksoi që edhe për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Italia mbetet bashkëpunëtor dhe partner i shumë projekteve.

Ajo tha se ka shumë fusha në të cilat MKRS-ja dhe Ambasada italiane kanë bashkëpunuar në të kaluarën përmes institucioneve vartëse të Ministrisë.

Vlen të ceket bashkëpunimi i mirë i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës me Ambasadën me aktivitete te ndryshme dhe ai i Galeris ë së Arteve të Kosovës me Institutin Italian për Kulturë.

Ndërkaq, në fushën e trashëgimisë kulturore Ambasada e Italisë e ka ndihmuar MKRS-në me disa komponentë, përmes punës së përbashkët me Institutin Qendror te Romes për Restaurim në saje të së cilit shumë monumente janë restauruar në vendin tonë, përmendi ministrja.

Të dy palët u zotuan që bashkëpunimi të formalizohet me marrëveshje bashkëpunimi për bashkëpunim kulturor mes Kosovës e Italisë. /Telegrafi/