Siç e dimë të gjithë rruga për të ardhur deri tek pavarësia ka qenë e gjatë, për shumë breza ishte vetëm ëndërr, njëqind vjet sakrifica e po kaq rënie në altarin e atdheut, me mijëra e mijëra vjet burgim nëpër mote të atyre që kërkuan lirinë, mijëra e mira përmendore në çdo cep të atdheut të atyre që shkruan historinë më rëniet e tyre për të qenë të lirë. Ëndrra për të qenë të lirë u bë realitet falë gjakut të të rënëve ndër breza e atyre që sakrifikuan çdo gjë për këtë ditë. Ditë më parë populli i Republikës së Kosovës e kremtoi përvjetorin e tretë të pavarësisë, prej kur Kosova u aneksuar nga regjimi serb më 1945. Secili prej nesh e dinë që Kosova po kalon nëpër një tranzicion që është i domosdoshëm për të gjitha vendet që e fituan pavarësinë pas rënies së bllokut komunist. Mirëpo tranzicioni në Kosovë duket që nuk e ka marrë kahen e duhur. Defektet e elitave udhëheqëse janë bërë të dukshme e nga një herë edhe të pariparueshme. U bënë mbi 10 vite që populli ynë jeton më shpresa për ditë më të mira. Shpeshherë e kemi hasur dhe mësuar në literaturë se shpresa vdes e fundit, në fakt ashtu edhe është, mirëpo gjërat që duken nuk kanë nevojë për komentim. Secilën ditë e më shumë shpresat e qytetarëve të Kosovës kanë nisë te kthehen ne zhgënjim dhe durimi i tyre dalngadal po ngritët në revoltë.
Tri vite të pavarësisë kaluan shpejtë, ma shpejt se sa e kemi pritur, por ditët në vijim nuk e sollën atë për të cilën opinioni dhe qytetaret e saj ishin përgatitur me vite, nga udhëheqësit e saj dhe padronet e tyre ndërkombëtar. Kaluan tri vite nga shpallja e pavarësisë e cila u prit më optimizëm dhe shpresa të mëdha sepse pavarësia ishte ëndërr e kahmotëshme e secilit prej nesh. Mirëpo gjendja në terren nuk është ajo çfarë festohet e kremtohet. Të rriturit nuk mashtrohen lehtë, ata e kanë kuptuar se vendi i tyre është më një pavarësi te kufizuar e cila po gllabërohet çdo ditë e më shumë nga orekset e burokracisë së Brukselit e cila nën trysninë e Serbisë dhe vendeve sllave në përgjithësi po ja humbë funksionalitetin kësaj pavarësie edhe ashtu të brishtë. Stabiliteti jo i duhur i pavarësisë së Kosovës dhe sovranitetit të saj, që kontrollohet edhe më tutje nga faktori ndërkombëtarë, ka krijuar hapësira për pakënaqësi të spektrit më të gjerë përfshirë këtu edhe qeveritë e dala brenda harkut kohorë trevjeçar, si qeveri jo të suksesshme, për të cilat mendohet se kanë qenë qeveri provuese. E këtë e tregon më së miri gjendja në të cilën gjendemi sot dhe panoramën që e kemi krijuar për vetë vetën gjatë këtyre tri viteve me sjelljen tonë dhe veprimet tona.
Si pasojë e kësaj, Kosova është bërë poligon ekskrementesh politike te interesave te BE, të cilat po e pengojnë shtetndertimin e pavarësisë së vërtetë. Këto dilema e kanë vënë në pikëpyetje sovranitetin real të vendit sepse të gjitha rrugët çojnë në një sundim kolonialist te një protektorati ndërkombëtar. Pesë shtete anëtare të BE-së refuzojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës, duke dalë haptas përkrah politikës ultranacionaliste serbe, kurse politika evropiane me misionin e saj me të madh politik në Kosovë, EULEX-in, përfaqësohet vetëm ne nivelin lokal. Nganjëherë politika jo parimore e Brukselit ndaj Kosovës dhe qasjet e gabuar të saj ndaj problemeve kyçe, e kanë stagnuar progresin në Kosovë gjatë kësaj kohe, madje faktorizimi i Serbisë vend e pa vend, po ja zbehë besueshmërinë BE-së dhe OKB-së. Ketë e tregon edhe fakti se të parët, BE-ja nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës në shkallë të duhur, kurse të dytët OKB-ja edhe sot mban qëndrim neutral ndaj statusit. Konspiracioni i BE-së dhe OKB-së rreth marrëveshjeve dhe zgjatjes së bisedimeve në pakufi në mes Kosovës dhe Serbisë e ka favorizuar haptazi Serbinë duke ja krijuar edhe një ndikim të haptë mbi Kosovën që ka filluar të pranohet edhe ndërkombëtarisht.
Realiteti i zgjedhjeve të fundit, vetëshkarkimi i qeverisë dhe shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme, manipulimi dhe vjedhja e votave në mënyrë masive, tregon qartë për skenarët e përgatitur në prapaskena të cilët planifikohen nga aktor që jo gjithherë ia duan të mirën vendit. Qeveria e formuar së fundi më votat e minoriteteve dhe më mbështetjen e AKR-së, nuk do të ketë kapacitete të mjaftueshme për ta mbajtur stabilitetin në vend ngase që në fillim është nisur mbrapsht. Në këtë kohën kur pritet te fillojnë bisedimet me Serbinë, Serbia e ka më të lehtë sepse 20% e minoritetit serb në Parlamentin e Kosovës nën presionet e Beogradit mund të instrumentalizohen dhe ta mbështesin hapur Serbinë siç ka ndodhur edhe herëve të kaluara. Gjithsesi në bisedime do të ndikoi edhe situata e brishtë institucionale që mbretëron në Kosovë. Realiteti i krijuar tregon qartë se Serbia më nismën edhe të bashkësisë ndërkombëtare ka krijuar teren të përshtateshe në Kosovë për ta vazhduar lojën e degradimit të Kosovës dhe humbjes së imazhit të saj në sy të botës.
Edhe më tutje mbetet të shihet dhe vlerësohet për rezultatet e kësaj loje, sukseset tona janë në duart e kësaj qeverie dhe të atyre që do të vinë. Edhe më tutje në mungesë të një strategjie të mirëfilltë gjithëkombëtare, gjeopolitike e gjeostrategjike te zhvillimit te vendit sukseset janë të vogla e progresi edhe më i vogël. E them ketë sepse, pas shpalljes së pavarësisë e këndej, gjatë gjithë kohës është vërejtur një luftë për pushtet e klaneve të caktuara të cilat e kanë tërhequr vëmendjen e opinionit të brendshëm dhe atij të jashtëm në fokusimin e përplasjeve të këtyre klaneve mes veti se sa në profilin e zhvillimit të Kosovës në rrafshin politik e ndërkombëtar. Hapësirat që i janë krijuar UNMIK-ut dhe EULEX-it për të krijuar gjyqe politike është mungesë tjetër e strategjisë sonë kombëtare sepse përmes këtyre gjyqeve janë seleksionuar njerëzit të cilët nuk janë pajtuar më gjendjen çfarë është, janë arrestuar në shumicën e rasteve personat që dikush i ka parë rival të patejkalueshëm siç është rasti i Ramush Haradinajtë, i Fatmir Limajt, etj., e që nuk duhej të ishte kështu. Shtresat e dala nga lufta e UÇK-së, të burgosurit politik, e kasta tjera të shoqërisë që janë përpjekur tërë jetën për një Kosovë të pavarur, janë lënë në harresë e pa përkujdesjen e shoqërisë. Disa herë klasa jonë politike dhe intelektuale ka hezituar në raste vendimtare të merr pjesë si shoqëri a kolektivë, në shumicën e rasteve interesat e përgjithshme i ka paraqitur individi apo klani i ngushtë siç ishte rasti edhe në 1945 kur Kosova u nda nga Shqipëria. Duhet të mësohemi dhe të edukohemi ta njohim dhe respektojmë të kaluarën për ta kuptuar të tashmen dhe të ardhmen.