Site icon Telegrafi

Kosova dhe Gjibraltari “përjashtojnë” Rusinë nga miqësoret me evropianë

Pas pranimit të Kosovës dhe Gjibraltarit në UEFA dhe FIFA, sot dy federatave i janë caktuar grupet në eliminatoret për Botërorin 2018, që zhvillohet në Rusi. Kosova do të luajë në Grupin I, ndërsa Gjibraltari në Grupin H.

Pasi që në garat ndërkombëtare, nikoqirit i garantohet pjesëmarrja, Rusia ishte paraparë të zhvillonte miqësore gjatë eliminatoreve me ekipin e pestë nga njëri prej dy grupeve I dhe H.

Lexoni më shumë: Mësoni rivalët e Kosovës

Megjithatë, pranimi i Kosovës dhe Gjibraltarit, e lë Rusinë pa miqësoret ndaj shteteve tjera të Evropës.

Për këtë UEFA ka njoftuar se Rusia do të luajë me kombëtaret jashtë Evropës dhe do të ndihmohet nga UEFA për të gjetur rivalë.

“Për shkak të përfshirjes së Gjibraltarit dhe Kosovës në kualifikimet e Evropës, Rusia do të luajë miqësore ndaj shteteve jashtë Evropës në datat e caktuara për kombëtaret në kalendarin e ndeshjeve ndërkombëtare dhe do të ndihmohet nga UEFA për të gjetur rivalët potencialë”, thuhet në njoftimin e FIFA-s, që është fshirë shumë shpejt nga kjo faqe.

Exit mobile version