Krijimi i lidhjeve mes bizneseve të Diasporës dhe Kosovës është i dobishëm për të dyja palët.
Duke u lidhur me bizneset e Kosovës, diaspora mund të ndihmojë në krijimin e vendeve të punës dhe në rritjen e eksportit të produkteve të prodhuara në Kosovë, si dhe të kontribuojë në zhvillimin ekonomik.
Kështu është thënë në Konferencën Ekonomike e Diasporës Shqiptare nga Evropa -B2B. Konferenca është organizuar për t’i nxitur synimet e përbashkëta për zhvillim ekonomik në Kosovë.
Yll Blakaj kryetar i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Evropë, tha se konferenca B2B është organizuar me qëllim të lidhjes së diasporës nga Evropa me bizneset në Kosovë për identifikimin e mundësive investuese dhe eksportuese të produkteve dhe shërbimeve nga Kosova.
Ai kërkoj nga prodhuesit që ta shfrytëzojnë këtë konferencë dy ditore, për të arritur kontakte , shkëmbyer ide dhe përvoja të ndryshme.
Brian Martalus drejtor i Zyrës për Rritje Ekonomike në USAID për Kosovë vlerësoi lartë takimin ndërmjet bizneseve kosovare dhe atyre nga diaspora.
Ai tha se 120 kompani prodhuese nga Kosova, eksportojnë mallrat e tyre në tregun Evropian.
Po ashtu edhe Martalus kërkoi nga prodhuesit e ndryshëm që të përfitojnë nga këto dy ditë për ide dhe mendime të reja. Prezentë në konferencë janë qindra biznese nga Diaspora dhe Kosova. Ndryshe, edhe në mbrëmjen e sotme do të mbahet gala mbrëmje, ku i pranishëm do të jetë kryeministri Ramush Haradinaj, ndërsa në ditën e dytë, (e shtunë) do të mbahet panele në të cilat do të diskutohen çështjet kyçe rreth lidhjeve të bizneseve të Kosovës me diasporën. /Telegrafi/