Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica ka nënshkruar sot në Bruksel marrëveshjen për sigurime sociale me homologen e tij, ministren e Çështjeve Sociale dhe Shëndetit Publik, Maggie De Block.
Kjo është marrëveshja e parë ndërkombëtare për sigurime sociale, nga e cila përfitojnë direkt qytetarët kosovarë, që kanë punuar dhe vepruar në Belgjikë.
Ministri Reçica theksoi se nënshkrimi i kësaj marrëveshje përkon edhe me 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës dhe kjo ngjarje sikur e përmbush edhe më shumë këtë festë.
“Kjo është një marrëveshje me një shtet mik, i cili po tregon se Kosova është partner i barabartë”, tha ai.
Ministrja belge, De Block theksoi rëndësinë e kësaj marrëveshjeje duke cekur se nga kjo do të përfitojnë qytetarët e dyja vendeve, në fushën e sigurimeve dhe mbrojtjes sociale.
Me këtë marrëveshje Kosovës i është hapur rruga që së shpejti të lidhë të tilla marrëveshje edhe me shtete të tjera, aty ku qytetarët tanë kanë vepruar dhe derdhur djersën e tyre. /Telegrafi/