Telegrafi

Kosova dhe BEI nënshkruajnë marrëveshjen për kredi prej 11 milionë euro për trajtimin e ujërave të zeza

Kosova dhe Banka Evropiane Investive (BEI) kanë nënshkruar marrëveshjen e kredisë në vlerë prej 11 milionë euro për financimin e projektit “Impianti për Trajtimin e Ujërave të Zeza”.

Marrëveshja u nënshkrua nga Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi dhe përfaqësuesit e Bankës Evropiane Investive, Tom Gilliams dhe Ayse Nil ADA.

Ky është investimi i parë i BEI-së në trajtim të ujërave të zeza dhe mbrojtje të mjedisit në Kosovë, i cili do të mundësojë ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza dhe rrjetin e ndërlidhur të kanalizimit, dhe në të njëjtën kohë do të përmirësojë infrastrukturën kryesore në sektorin e mbrojtjes së mjedisit.

Ky projekt ofron qasje të përmirësuar në shërbimet e ujit dhe trajtimit të ujërave të zeza për më shumë se 90 mijë qytetarë të Komunës së Gjilanit.

Projekti do të bashkëfinancohet me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (10 milion euro), ndërsa Kosova do të jetë po ashtu përfituese e Grantit të BE-së përmes Kornizës Investuese të Ballkanit Perëndimor (WBIF) me një shumë prej 3.1 milionë si mbështetje për përgatitje dhe zbatimin e projektit. /Telegrafi/