Site icon Telegrafi

​Kosova dështoi në procesin e digjitalizimit, Serbia me transmetim HD

Përderisa kanalet televizive serbe në Kosovë transmetohen me sinjal HD, një gjë e tillë nuk ndodh me kanalet televizive vendore. Kjo pasi për të shikuar ndonjë nga televizionet e Kosovës, qytetarët detyrohen të abonohen në njërin nga operatorët, për të marrë ndonjërën nga pakot digjitale.

Dështimi i Kosovës në digjitalizimin e televizioneve po del të jetë një nga shkaktarët kryesorë për një gjë të tillë.

Madje edhe në Raportin e Progresit evidentohet dështimi i Kosovës në këtë proces.

E Komisioni i Pavarur për Media (KPM) thotë të ketë kërkuar nga Qeveria e Kosovës disa herë mbështetje financiare, porse nuk kanë marrë përkrahjen e nevojshme.

Kryeshefi ekzekutiv i KPM-së, Luan Latifaj thotë se është pikërisht digjitalizimi i televizioneve që i mundëson Serbisë transmetimin në sinjalin HD.

Sa i përket mungesës së transmetimit të televizioneve të Kosovës në sinjalin HD, ai thotë se një gjë e tillë është pasojë e mosanëtarësimit të Kosovës në ITU. E sipas tij, mungesa financiare i ka pamundësuar KPM-së sigurimin e sinjalit të transmetimit.

“Kosova nuk është pjesë e ITU-së, pasi që nuk është pjesë e Kombeve të Bashkuara. Ky është problemi kryesor që Serbia menaxhon me frekuenca juridikisht po flas, në kuadër të ITU-së. Shteti serb ka bërë planifikimin e transmetimit, dhe një prej alokmenteve e ka edhe Kosovën, ku p.sh. pse shihen televizionet nga Serbia në sinjalin HD është fakti se Serbia e ka përfunduar transmetimin digjital dhe një prej transmetuesve ku futen valët digjitale në territor të Kosovës është i vendosur në majën e Kopaonikut, ku ato depërtojnë varësisht prej relievit të vendit… Mungesa financiare, pavarësisht kërkesave që i kemi pasur, e bënë të pamundur që ne si përgjegjës të menaxhimit të këtij procesi të kemi mundësi të sigurojmë sinjalin e transmetimit”, tha ai.

Në një intervistë për KosovaPress Latifaj thotë se qeveria duhet të investojë në ndërtimin e rrjetit primar në mënyrë që të krijohen mundësi për investitorët e jashtëm.

“Problemi është që ne si shtet nuk kemi ndërmarrë pothuajse asnjë hap drejt realizimit të transmetimit digjital. Si KPM, është hera e katërt që kemi dërguar në Qeveri strategjinë për digjitalizim, që është një dokument strategjik, ku në detaje janë të sqaruara hapat që duhet të ndërmerr shteti i Kosovës për të filluar transmetimin digjital. Me afat të përcaktuar nga ITU, viti 2015 ka qenë viti i fundit. Do të thotë kemi provuar edhe përmes donacioneve, përmes Bankës Botërore, mirëpo me gjasë nuk kanë parë mundësi. Kështu që mbetet përfundimisht që Qeveria të investojë në ndërtimin e rrjetit primar fillimisht e mandej edhe të kemi mundësi për me nxjerrë investitorë të jashtëm. Ky është problem serioz në fushën e transmetimit, ku shteti jonë duhet të merret seriozisht me këtë aspekt”, tha ai.

Ai tregon për KosovaPress se pesë televizione serbe janë të licencuara në Komisionin e Pavarur të Mediave.

“Në transmetimin analog kemi 5 televizione që janë të licencuara, të gjitha janë të licencuara në KPM dhe bahskëpunimi është shumë i mirë me gjithë televizionet, përfshirë edhe radiot, përfshirë edhe ato shqiptare dhe të gjitha të komuniteve tjera… Televizionet e licencuara që transmetojën program në gjuhën serbe janë TV Most, TV mir, TV Zoom, Tv Herc dhe TV plus”, tha ai.

Për Mentor Hoxhajn, kryesues i Komunitetit për Siguri Kibernetike dhe Privatësisë, dështimi i procesit të digjitalizimit të televizioneve po i privon qytetarët e Kosovës që të shikojnë kanale HD pa pagesë.

Hoxhaj thotë për KosovaPress se edhe situata aktuale që po mbretëron si rezultat i pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi do të zbutej sadopak nëse qytetarët nuk do të ishin të obliguar të paguanin për të parë kanalet televizive.

“Sa i përket digjitalizimit të televizioneve… ky proces në Kosovë ka dështuar, nuk ka përfunduar ende. Dhe, kjo rrjedhimisht po i privon qytetarët e Kosovës që të shikojnë kanale HD dhe pa pagesë. Qytetarët e Kosovës janë të detyruar që të marrin njërën nga pakot digjitale të cilat ofrohen, duke rritur kështu koston. Në momentin e parë që do të kishim kanale të digjitalizuara dhe qytetarët do të kishin mundësinë që të shikojnë me antenë të thjeshtë , kjo do të ishte një ndihmesë jashtëzakonisht e madhe për qytetarët, sidomos në këtë kohë pandemie”, thotë ai.

E për kanalet serbe që transmetohen në Kosovë, Hoxhaj thotë se duhet domosdo të kenë aprovimin e KPM-së, përndryshe veprojnë ilegalisht.

“Sa i përket kanaleve të shteteve fqinje të cilat janë në Republikën e Kosovës, të gjitha ato kanale do të duhej të kishin aprovimin paraprak të KPM-së, të shfrytëzimit të hapësirave të valëve nga ARKEP-i, duhej të kishin licencën e duhur. Në momentin e parë që këto operojnë pa licencë, janë duke operuar në mënyrë ilegale”, thekson Hoxhaj.

KosovaPress është interesuar të marrë një përgjigje nga Zyra e Kryeministrit lidhur me atë që është bërë deri më tash në drejtim të digjitalizimit, duke e pasur parasysh edhe faktin se kanalet serbe që transmetohen në Kosovë kanë sinjal HD, porse kjo e fundit nuk ka kthyer përgjigje. /kp/Telegrafi/

Exit mobile version