Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, të hënën ka autorizuar përfaqësuesit e MIT që të jenë pjesë e negociatave për marrëveshjen e mundshme për hekurudhat me Serbinë.
Sipas njoftimit, ministria i ka caktuar dy zyrtarë, të cilët ishin ngarkuar edhe më herët me marrëveshje ndërkombëtare.
“Në Berlin, pjesë e negociatave për marrëveshjen e mundshme për hekurudhat me Serbinë, me autorizim timin si Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit do të jenë Xhemë Veseli, drejtor i Transportit Rrugor dhe Ramë Qupeva, drejtor i Infrastrukturës Rrugore. Ndonëse institucionet tona janë të gatshme në vazhdimësi për kontribut në stabilitet dhe fqinjësi të mirë, theksojmë se çfarëdo marrëveshje që do të arrihet do të jetë vetëm sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e ministrisë, përcjell Telegrafi.
Kujtojmë se ambasadori Richard Grenell pas vizitës në Beograd kishte njoftuar se në fillim të javës do të ketë takim në Berlin, për arritjen e marrëveshjes së riaktivizimit të hekurudhës.
Sipas tij ky takim do të ndodhë me ekspertë nga Kosova e Serbia, në përpjekje për të arritur marrëveshjen e dytë, pas asaj me linjën ajrore. /Telegrafi/