Kosova, përveç produkteve ushqimore, del se blen edhe gjak nga Serbia, dhe çmimi i tij del të jetë goxha i shtrenjtë.
Nevoja për të shpëtuar jetët po i detyron kosovarët që të kërkojnë ndihmë edhe nga shteti prej të cilit Kosova u nda me luftë.
Sipas statistikave që ka siguruar gazetaexpress nga Dogana, Kosova merr gjak edhe nga Serbia, duke përfshirë kështu gjak njerëzor e të kafshëve.
Madje, me kalimin e viteve sasia e gjakut të importuar nga Serbia po rritet.
Vetëm në dy vitet e fundit, nga shteti prej të cilit Kosova u nda me luftë, ka hyrë gjak, në vlerë prej më shumë se 100 mijë eurove.
Gjatë këtij viti, për gjak që vjen nga Serbia janë paguar mbi 60 mijë euro.
E ky lloj gjaku, sipas Doganës, përgatitet për “përdorime terapike, profilaktike apo diagnostikuese; antisera dhe Fraksione të tjera të Gjakut dhe produktet e modifikuara imunologjike”.
Por, ndonëse merr gjak prej shteteve të tjera, Kosova nuk është shumë e varur nga gjaku që vjen prej vendeve të huaja. Gjithë kjo pasi dhuruesit vullnetar të gjakut mbulojnë deri në 80 për qind të nevojave të pacientëve.
Në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, kanë thënë se që nga viti i kaluar janë afro 30 mijë dhurues të gjakut./GazetaExpress/