Site icon Telegrafi

Kosova bën edhe një përpjekje për anëtarësim në INTERPOL

Kosova sërish ka aplikuar për t’u bërë anëtare e Organizatës Ndërkombëtare Policore (INTERPOL) dhe kërkesa e saj tashmë është pranuar nga kjo organizatë, konfirmojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Kosovës, Izmi Zeka, thotë se Kosova ka parashtruar kërkesën për anëtarësim në INTERPOL, më 31 janar të këtij viti.

“Është konfirmuar edhe nga INTERPOL-i që është pranuar kërkesa e Republikës së Kosovës. Tash janë çështje teknike dhe aspektet politike që duhet t’i bëjë Kosova në kuadër të angazhimeve të saj diplomatike, në mënyrë që kur të mbahet seanca e INTERPOL-it, atëherë ne të shohim gjendjen se si do të shkojë. Por, megjithatë besojmë që ky vit do të jetë me angazhime më të mëdha, në mënyrë që Kosova të jetë e barabartë me të gjitha shtete tjera dhe të ketë kyçje të drejtpërdrejtë (në INTERPOL)”, tha Zeka.

Në anën tjetër, autoritetet e Serbisë kanë thënë se janë duke u përgatitur që ta kundërshtojnë pranimin e Kosovës në INTERPOL dhe në organizatat tjera ndërkombëtare.

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, javën e kaluar e ka cilësuar veprim vetëvrasës aplikimin e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL.

“Kosova sërish është paraqitur që të pranohet në INTERPOL. Duhet ta them që nuk e kuptoj këtë nevojë të Kosovës për veprime të tilla vetëvrasëse, sepse do të humbin me rezultat shumë më keq sesa që kanë humbur. Mund të paraqiten edhe për (anëtarësim në) UNESCO. Kështu që, ne po përgatitemi për një luftë të tillë”, ka theksuar Daçiq.

Por, zëvendësministri Zeka thekson se institucionet e Kosovës do të përpiqen të bëjnë gjithë punën e duhur, në mënyrë që Kosova këtë vit të bëhet pjesë e INTERPOL-it.

“Tash, nëse dje kemi bërë ndonjë gabim ose nëse nuk kemi arritur ta bëjmë krejt punën e duhur, atëherë ky vit duhet të jetë viti kur duhet të rishikojmë dhe duhet t’i bëjmë hapat konkret. Natyrisht, duhet të jemi të vetëdijshëm që këtë punë nuk mund ta bëjmë vet pa miqtë tanë ndërkombëtarë, sidomos SHBA-në, Anglinë, Francën dhe shtetet tjera. Kështu që do të shohim që të koordinohemi dhe të ecim tutje. Po e them edhe tash që Serbia jeton me të kaluarën dhe natyrisht që ne nuk duhet të presim nga ajo se çfarë bën, por ne duhet ta bëjmë punën tonë”, theksoi Zeka.
Ndërkaq, zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Qeverisë së Kosovës, nuk e kanë saktësuar nëse Kosova do të aplikojë ose jo këtë vit, për t’u bërë anëtare e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Kulturë, Shkencë dhe Arsim (UNESCO).

Fatmir Haxholli, këshilltar politik i ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, thekson që ky vit është “vit i fokusit në marrëveshjen gjithëpërfshirëse” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përmes të cilës, siç thotë ai, synohet njohja reciproke, që do të krijojë “parakushte të volitshme për njohje kolektive nga të gjitha organizatat, përfshirë edhe UNESCO-n”.

“Në këtë kuadër, duhet të kemi parasysh që vendimmarrja politike për anëtarësim ose jo në UNESCO, duhet të jetë e informuar dhe e cila merr parasysh procesin e dialogut. Pa marrë parasysh, aspiratat e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, nuk do të ndalen. Ato mund të jenë subjekt i kalkulimit në kohë dhe në rrethana, por nuk do të ndalen. Ne e dimë narracionin, të cilin Serbia provon ta shesë në opinionin ndërkombëtar, por është i paqëndrueshëm, sepse Kosova është anëtare e shumë organizatave të fuqishme. Ai narracion është i paqëndrueshëm dhe Kosova do të vazhdojë të afirmohet edhe nëse nuk aplikon këtë vit në UNESCO”, tha Haxholli.

Më 9 nëntor të vitit 2015, Kosova kishte bërë përpjekje që të pranohet në UNESCO, por Konferenca e Përgjithshme e kësaj organizate nuk votoi në favor të pranimit të Kosovës. Kosova nuk arriti të sigurojë votat e më shumë se dy të tretave të vendeve anëtare të kësaj organizate, të cilat ishin të nevojshme për pranimin e saj në UNESCO.

Në anën tjetër, më 20 nëntor të vitit të kaluar, Kosova nuk kishte arritur të bëhet vend anëtar i INTERPOL-it, pasi që nuk mori shumicën e nevojshme, prej dy të tretave të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, që u mbajt në Dubai.

Një ditë më pas, Qeveria e Kosovës, kishte vendosur taksën prej 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia. Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës kanë theksuar se kjo masë është vënë për shkak të presionit të madh dhe lobimit të Serbisë për të mos e lejuar anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë.

Më pas, Serbia ka refuzuar të vazhdojë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, pa heqjen e kësaj takse.

Përndryshe, tentativat e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, kanë nisur që nga viti 2010. Atë kohë, Komiteti Ekzekutiv i kësaj organizate, nuk e kishte marrë fare parasysh kërkesën e parashtruar nga Prishtina zyrtare. Më 2015 dhe 2016, Kosova kishte aplikuar, por nuk ishte futur në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme. Më 2017, Kosova pati tërhequr vullnetarisht kërkesën, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme. /rel/Telegrafi/

Exit mobile version