Telegrafi

Kosova bëhet me Sistem Kombëtar për Monitorim të Spektrit Frekuencor

Kosova nga sot do ta ketë në dispozicion Sistemin Kombëtar për Monitorimin e Spektrit Frekuencor, i inauguruar në Mitrovicë.

Kryeministri Albin Kurti the se ky sistem do të mundësojë identifikimin e burimeve të interferencave, e që është konform obligimeve ndërkombëtare.

“Kosova sot është vendi më i mbuluar brez-gjerë dhe po bën përgatitjet për shtrirjen e rrjeteve mobile 5G. Ky projekt ka qëllim mbrojtjen nacionale. Kosova i kushton rëndësi të veçantë sigurisë kibernetike dhe javën e kaluar miratuam themelimin e Komisionit të Sigurisë Kibernetike që do të ndikojë në rritjen e sigurisë në këtë fushë”, tha Kurti.

Ai ka shtuar se ky projekt është një hap që ka ndikim direkt në sigurinë kibernetike.

“Do t’i mbështesim ARKEP-in, KPM-në dhe të gjithë akterët që ky sistem të përdoret në mënyrë sa më efikase”, ka shtuar ai.

Ndërkaq, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se Kosova ishte vendi i vetëm që nuk e kishte këtë sistem.

“Kjo pikë që po e inaugurojmë sot në Shipol është një nga katër pikat në vendin tonë që do të mundësojë edhe përshpejtimin e inovacionit teknologjik”, ka thënë Rizvanolli.

E ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla theksoi se vendi ynë përballet me një mori rreziqesh e sfidash në sektorin e sigurisë.

“Ministria e Brendshme do të vazhdojë të udhëhiqet nga parimi i kushtetutshmërisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe ai parim është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe do të mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me Kushtetutë. Në një ambient të sigurt në secilën sferë do të ketë mirëfunksionim të të gjitha institucioneve pa asnjë dallim në tërë territorin e Republikës”, theksoi Sveçla. /Telegrafi/