Kosova ka shënuar rënie të vizitorëve në tre mujorin e parë të këtij viti. Kjo konstatohet nga të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, sipas së cilës, kapaciteti hotelier në Kosovë është shfrytëzuar vetëm 8. 9 për qind, që është më e ulët se sa në periudhën e njëjtë me dy vitet e kaluara.
Megjithatë, përfaqësues të institucioneve nuk kanë thënë nëse ka rënie të turizmit në tre mujorin e parë të këtij viti, porse janë shprehur të kënaqur me vizitorët që ka pasur vendi gjatë kësaj periudhe.
Udhëheqës i Departamentit të turizmit në Ministrinë e Tregtisë, Hysen Sogojeva, tha për KosovaPress se me themelimin e Agjensionit Kombëtar do të krijohen mundësi që të promovohet edhe më shumë Kosova me bukuritë e saj natyrore. Deri më tash siç tha ai, promovimi është bërë përmes panaireve dhe broshurave.
“Nëpërmjet panaireve, nëpërmjet broshurave promovohet më shumë, mirëpo nuk është ende e kënaqshme sepse ne nuk kemi Agjension Kombëtar. Momentin kur e kemi Agjensionin Kombëtar, ajo është bazë që merret kryesisht me promovimin e turizmit dhe vlerave turistike”, tha ai.
Përveç kësaj, Sogojeva theksoi se janë duke u munduar që të përfshijnë gjithë vendin me projekte për zhvillimin e mëtutjeshëm të infrastrukturës me qëllim të lehtësimit të qasjes së turistëve në pikat që dëshirojnë të vizitojnë. Ndërsa shtoi se zhvillimi i sektorit privat në Kosovë është duke dhënë frytet e tij, pasi që fakti se Kosova ka zhvillim të kapaciteteve hoteliere dhe turistike, tregon se vizitorët e huaj po gjejnë komoditet dhe argëtim në vendin tonë.
Ai u shpreh se Kosova ka mjaft potenciale turistike, ndërsa theksoi se kryeqyteti prinë me numrin më të madh të turistëve të huaj.
“Kemi potenciale turistike siç janë Bjeshkët e Nemuna dhe Malet e Sharrit… Mirëpo nëse i marrim si regjione, atëherë prej rajoneve turistike është Prishtina, sepse këtu mund të zhvillohet edhe turizmi biznesor. Në anën tjetër, Peja, që është rajoni i dytë i vizituar dhe Prizreni që përveç bukurive natyrore ka edhe ngjarjet si ‘DokuFest’ e të tjera”, u shpreh Sogojeva.
Edhe në bazë të dhënave statistikore të ASK-së për vitet e fundit, numri më i madh i vizitorëve të huaj del të jetë i përqendruar në Prishtinë, me ç’rast sipas të dhënave që ata posedojnë, vetëm në tremujorin e parë të vitit 2017, janë regjistruar mbi 12 mijë vizitorë. Pas Prishtinë, vijnë Peja dhe Prizreni për të vazhduar me qytetet e tjera.
Sa i përket vizitave në lokalitete arkeologjike dhe monumenteve foli Vjollca Aliu nga Departamenti i Trashëgimisë Kulturore në Ministri të Kulturës, e cila tha se në projeksionin buxhetor kapital vazhdon të prijë parku arkeologjik “Ulpiana”, i cili siç tha ajo, vetëm muajin e kaluar ka pasur mbi 3 mijë vizitorë.
Më pas, sipas Aliut, vijnë Kalaja e Novobërdës dhe Kalaja e Prizrenit.
Ajo theksoi faktin se janë duke vlerësuar disa projekte që kanë të bëjnë me promovimin e trashëgimisë kulturore si dhe në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve në aspektin e ruajtjes dhe mbrojtjes së saj.
“Unë do të thosha që ajo çka ne duhet të bëjmë më shumë është rregullimi i infrastrukturës, gjithsesi që promovimi i tyre nuk mungon… E dyta do të thosha që ne gjatë kësaj periudhe, jemi duke vlerësuar një numër të projekteve të cilat i kemi pranuar si rezultat i thirrjes publike që e kemi pas dhe që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me promovimin e trashëgimisë kulturore, njëra komponentë, dhe tjetra, ngritja e vetëdijes së qytetarëve në aspektin e ruajtjes, mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore. Që të dyja këto bazohen në dokumentin e ‘Strategjisë Kombëtare për Trashëgimin Kulturore’, i cili është miratuar vitin e kaluar”, u shpreh Aliu.
Ajo theksoi se Kalaja e Prizrenit është një projekt shtesë i cili bashkë financohet nga Ministria dhe nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa presin që hapja të bëhet përmes një ceremonie në fund të muajit qershor. Siç tha ajo, projekti në fjalë, lehtëson shumë qasjen e vizitorëve deri në kala dhe brenda kalasë gjithashtu. Ajo shtoi se janë në pritje për Kalanë e Novobërdës, ku është punuar me një projekt .
Alban Rafuna nga “Be in Kosovo”, iniciativë kjo që ka për qëllim ofrimin e shërbimeve profesionale të turizmit dhe punon pikërisht me turistë të huaj që vijnë në Kosovë, tha se ideja për të marrë iniciativën për ofrimin e shërbimeve të turizmit ka rrjedhë duke e parë komunitetin ndërkombëtarë në Kosovë tek i shfrytëzon fundjavat në Greqi, Mal të Zi e Maqedoni, përderisa Kosova siç tha ai, ka atraksione mbase edhe më të mira se këto vende ku të huajt kanë pasur tendencën t’i frekuentojnë.
Ai tha se pikat turistike që i vizitojnë i ndajnë sipas regjioneve e me raste, siç tha ai, vizitat përfshijnë edhe bujtje në qytetet që ata përzgjedhin për të vizituar.
“Pikat turistike i ndajmë sipas regjioneve. Kisha thënë edhe sipas regjioneve edhe në nivel administrative. Regjioni i Prishtinës, regjioni i Prizrenit, i Pejës, i Mitrovicës, Gjilanit, Ferizajt etj. Faktikisht ne i kemi 7-të deri në 11 ditë itinerare. Për shembull Prizrenin, kur turistët kanë kohë e ndajmë në dy ditë, dhe ai është qyteti me Malet e Sharrit. Dita e dytë është Malet e Dragashit, Brodi, Restelica etj. Edhe vizitën në Pejë e ndajmë në dy ditë. Është Peja me Rugovë, Radaci, Ujëvara e Radacit, shpella që është hap rishtazi. E pastaj është edhe Gjakova me Deçan, sidomos Manastiri i Deçanit. Gjithsesi edhe në Pejë e përfshijmë Patrikanën e Pejës, që janë edhe atraksion i veçantë për shkak se janë të mbrojtura nga UNESCO”, u shpreh Rafuna, duke shtuar se punojnë vetëm me të huajt ngase siç thotë ai, interesimi i qytetarëve të Kosovës për të vizituar pikat turistike brenda vendit, nuk duket të jetë i madh.
Sipas tij, qytetarët e Kosovës duhet të vizitojnë pikat turistike brenda vendit, pasi që një gjë e tillë iu jep atyre kënaqësi dhe ngrohtësi. Ai madje vlerëson se qytetarët në këtë mënyrë, duke kaluar vikendet brenda vendit, shpenzojnë rreth 70 për qind më pak në krahasim me shëtitjet jashtë Kosovës.
I pyetur për paragjykimet që fillimisht mund të kenë turistët e huaj për Kosovën dhe mbresat e tyre nga vizita në vend, Rafuna tha se për turistët ndërkombëtar pothuajse çdoherë ndodh ndryshimi i përshtypjes së tyre të parë, që ata kanë për Kosovën dhe popullin në përgjithësi.
Madje ai shprehet se të huajt që vijnë në Kosovë krijojnë besimin se shqiptarët janë popull i hapur dhe se Kosova është vend evropian, por i pa integruar në Evropë.
“Ne me këtë përvojën tonë, mbi 14 vjet, kemi arritur të kuptojmë se mbresa primare është mikpritja e popullit shqiptar. E dyta, por jo detyrimisht kronologjikisht e renditur, është ushqimi ekstrem i shijshëm dhe i lirë. E treta, cilësia e akomodimit, me të cilin shpeshherë dinë të befasohen turistët e huaj. E katërta është kafja. Kafja është diçka që iu bënë përshtypje. Birra vendore është shumë e mirë. Sipas feedback-ut të të huajve gjithmonë. Vera vendore është shumë e mirë. Gjithashtu, ajo që iu bënë përshtypje është edhe jeta e natës, rakia e të tjera. Pavarësisht që vijnë me përshtypjen se ne jemi një vend mysliman, fudamental, kur vijnë këtu e thyejnë atë përshtypjen dhe e krijojnë besimin se shqiptarët qenkan një vend evropian i pa inkuadruar në Evropë”, u shpreh ai për KosovaPress.
Në fund, ai thekson se Kosova ka infrastrukturë më të mirë se sa që mendojnë qytetarët, por që një investim infrastrukturor, do të ishte i mirëseardhur në Ujëvarën e Mirushës. Sipas tij, gjatë përmirësimit të infrastrukturës duhet treguar kujdes i shtuar pasi që infrastruktura e tepërt krijon turizëm masiv e që me kalimin e kohës, kjo mund të shkaktojë shkatërrimin e monumenteve.
Ndryshe, media të ndryshme ndërkombëtare, kanë rekomanduar Kosovën si vend që duhet të vizitohet, duke rekomanduar që të vizitohet Brezovica, Bjeshkët e Sharrit, Maja e Lubotenit, Burimi i Drinit, Liqenet e Mirushës, Gjeravica, Novobërda si dhe Gryka e Rugovës.
Ndërsa, në bazë të numrit të vizitorëve ndërkombëtar, sipas statistikave të ASK-së, numri më i madh i turistëve, në tremujorin e parë të këtij viti ishte nga Shqipëria, Turqia, Gjermania, Zvicra, SHBA e vende të tjera.
Foto: Rifat Elshani