Që prej 25 Korrikut 2011, situata politike në Kosovë ka pësuar ndryshime të jashtëzakonshme. Gjendja e krijuar në veriun e vendit, megjithëse me shumë vonesë, u ekspozua nga institucionet legjitime të Kosovës para gjithë faktorit ndërkombëtarë, dhe bashkë me të, edhe paaftësia manifestuar edhe me mosvullnet e bashkësisë ndërkombëtare që të merret seriozisht me çështjen e veriut të Kosovës të kontrolluar nga serbët.
Në situatën në të cilën jemi tani ndërkaq, qendrat ndërkombëtare të vendosjes janë të paqarta se si dhe çka duhet bërë tash e tutje. Megjithatë, disa aspekte të ndërveprimit politik po vërehen haptazi. Kështu për shembull, me marrëveshjen e arritur mes KFOR-it dhe huliganëve serbë të veriut, institucionet legjitime të shtetit të Kosovës u anashkaluan tërësisht, që d.m.th. se edhe pse na pëlqen neve të besojmë, prania e shtetit të Kosovës në veri thjesht nuk ekziston, dhe zbatimi i marrëveshjes varet nga disponimi që kanë ushtaraket e vendeve të ndryshme për të vepruar. (Mosheqja e barrikadave kohë më pas edhe pas marrëveshjes tregon sesa të përkushtuar janë ushtarët e KFOR-it për marrëveshjen).
Çështja tjetër ka të bëj me kolapsin total që pësuan investimet e vazhdueshme të qeverisë së Republikës së Kosovës në veriun e vendit, ashtu që serbët vendorë të integrohen në institucionet shtetërore. U pa puna! Sapo plasi sherri në veri, shumë të tillë qytetarë flaken tutje uniformat apo edhe kartelat e institucioneve të Kosovës dhe u rreshtuan me masën e popullatës serbe që në këtë moment mbron një shtet tjetër brenda kufijve të një shteti tjetër.
Një çështje tjetër po aq e rëndësishme është edhe ajo që ka të bëj me jetëgjatësinë e marrëveshjes. Nëse ajo do të përfundoj me 15 Shtatorë, çfarë do të ndodh më pas?!. Cila është strategjia që do të zbatohet dhe me çfarë mënyre do të ndihet prania e shtetit të Kosovës në veri.
Duke parë mospraninë e shtetit të Kosovës në veri, situatën faktike në terren ku shteti serb është sundimtarë në çdo pore të jetës, dhe duke ditur me keqardhje, për qëndrimet e çorientuara të bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht Bashkimit Evropian, është e pamundur të mos shihet se zgjidhja e problemit mes Kosovës dhe Serbisë kalon pikërisht nëpër veriun e vendit.
E siç ndodh gjithmonë me një vatër krize që prodhon dhe nxit destabilitet, pikërisht veriu i Kosovës është edhe objektivi i politikes hegjemoniste të Serbisë, me qëllimin final ndarjen e veriut nga Kosova dhe bashkimin me Serbinë. Deri tani, Serbia ka arritur ta mbaj veriun faktikisht të ndarë, duke shkaktuar një situate të përafërt me Transdnistrine, rajonin veriorë të Moldavisë. Megjithëkëtë, qeveria në Cisianu (kryeqyteti moldav) këmbëngul për një shtet unik, pak a shumë siç po bën edhe Prishtina.
Ndërkohë, kapaciteti ekonomik i qeverisë së Kosovës, është minimal për mbajtjen e një terreni të tensionuar që do t’i krijonte vazhdimisht problem, sepse, megjithëse duam ne, Kosova thjesht nuk është Monako, ku milionerët bëjnë banjo dielli dhe shkëmbejnë fonde në bursat e Evropës. Andaj, kur situata është e tillë, suksesi më i madhi do të ishte sikur njerëzit vendimmarrës të Kosovës, duke ditur se nuk jemi Monako, të mos e lejojnë vendin të bëhet si Moldavia, dhe nëse ndarja ndodh si faktor i imponuar nga rrethanat në terren, atëherë të mos iu maskohet qytetarëve si ndonjë marrëveshje “që do ta shpëtojë Kosovën”, por të bëhet në atë mënyrë sa të llogariten edhe kushtëzimet tona. E sa iu përket kushteve, ne me Serbinë kemi shumë hesape të vjetra.
(Autori është bashkepuntorë shkencorë në Qendrën për Studimet e Shkencave Politike të Europës Lindore, studiues shkencorë në Universitetin Njukasell anëtarë i Qendrës për studimet fqinjësore i Universitetit Sterling, bashkpuntorë korrespondent në Universitetin e Varshavës, dhe pedagog i shkencave politike në Universitetin Glasgow, Britani e Madhe)