Telegrafi

Kosova apo UNMIK-u, kryesojnë CEFTA-n

Kosova është e gatshme që, vitin e ardhshëm, të udhëheqë Marrëveshjen për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore, CEFTA, thonë zyrtarë qeveritarë.

Flamur Keqa, nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se autoritetet kompetente tashmë kanë përgatitur programin për të kryesuar me CEFTA-n, i cili, sipas tij, është aprovuar nga të gjitha vendet anëtare të këtij mekanizimi.

“Është edhe programi që është aprovuar nga të gjitha vendet anëtare të CEFTA-s dhe në këtë drejtim nuk shoh kurrfarë problemi. Do të thotë, Kosova do të jetë udhëheqëse e CEFTA-s, ashtu siç është paraparë me marrëveshjen e CEFTA-s“, tha Keqa pwr Evropën e Lirë.

Gjatë këtij viti, me këtë mekanizëm ndërkombëtar po udhëheq Serbia.

Së fundmi, Ministria e Ekonomisë së Serbisë ka paralajmëruar se, vitin e ardhshëm, me CEFTA-n do të kryesojë UNMIK-u, si anëtar dhe nënshkrues i kësaj marrëveshjeje në emër të Kosovës.

Kryesimi i CEFTA-s bëhet në bazë të parimit rotativ dhe sipas radhitjes alfabetike.

Ndërkaq, zëdhënësi i administratës së UNMIK-ut, Jacob Quinn, thotë se është herët për të dhënë sqarime lidhur me këtë çështje. Sipas tij, çdo zgjidhje e pranueshme për të gjitha palët, është e pranueshme edhe për këtë administratë. /Telegrafi/