Telegrafi

Kosova anëtare e EuroLeague-s së boksit

Federata e Boksit e Kosovës në fillim të këtij viti kishte bërë kërkesë për pranim në këtë ligë, por dy herë ishte refuzuar kërkesa e saj. Mirëpo qëndrimi i zyrtarëve më të lartë të Ligës, ndryshoi një muaj më parë kur drejtori i kësaj lige Sizlard Bolla dhe sponzori Ivo Dvorak, vizituan vendin tonë dhe ishin prezent në disa turne të boksit me çka u ndan të kënaqur si me organizimin e këtyre turneve e po ashtu edhe me cilësinë e boksit.

“Sot kemi marrë një letër konfirmuese nga presidenti i Euroligës, Sizlard Bolla, i cili na ka njoftuar se në mbledhjen e fundit të Euroligës është marrë vendimi që prej muajit shtator, Kosova të jetë pjesëmarrëse e garave në këtë ligë”, është shprehur zëdhënësi i Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli.

Meqenëse Kosova është pranuar në EuroLeague, atëherë pritet që përfaqësuesja e Kosovës të garojë në këtë ligë që nga muaji shtator kur edhe fillon sezonin 2009/2010. Klubet kosovare të boksit do t’i kenë të drejtat e plota që të garojnë në sezonin 2009/2010. Ndërkohë, boksierët kosovarë që tani mund të boksojnë ose të nënshkruajnë për ndonjë klub evropian.