Site icon Telegrafi

Kosova – a dilet kështu nga kriza?

“Nëse një komb tregohet injorant dhe në të njëjtën kohë dëshiron të jetojë i lirë në botën e civilizimit, e kërkon atë që kurrë s’ka qenë e kurrë s’ka me qenë”, kjo është thënë në vitin 1812 nga Presidenti i Amerikës, Tomas Xhefersson.

Sot, viti 2011 kjo thënie nuk vlen këtu d.m.th. që këtu ka shumë fjalë e filozofi e pak punë. Këtu injorohen vlerat elementare të lirisë e demokracisë e që është: vota e lirë e popullit. Të gjithë e dimë se duhet folur haptazi për realitetin e zymtë rreth Kosovës. Fakte që nuk bën të injorohen janë:

– Gjatë zgjedhjeve e përsëritjes së zgjedhjeve ka pasur kërcënime kundër vëzhguesve kosovarë e edhe atyre ndërkombëtarë (këtë e tha haptazi edhe ambasadori i Francës në Kosovë, e edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek).

Referendumi që u mbajt javën e kaluar për pavarësinë e Sudanit Jugor ishte më demokratik sesa zgjedhjet këtu edhe pse në atë vend afrikan janë 80 % analfabetë. E çka thotë ky fakt për ne?

– Po. Raporti i parlamentarit zviceran Dick Marty e ka njollosur Kosovën ndërkombëtarisht edhe më shumë. (Kuptohet se në Demokraci njerëzit kanë mendime të ndryshme e edhe duhet t’i shprehin ato, e kjo natyrisht vlen edhe për politikanë që e kanë një ulëse në Asamblenë e Këshillit të Evropës, në Kuvendin e Kosovës apo kudoqoftë ky vend, ku kuvendarët janë zgjedhur nga populli). Një nga arsyet pse ky raport ka kaq shumë ndikim është sepse deri tani diplomacia zyrtare kosovare ka qenë shumë, shumë, shumë e dobët.

– Korrupsioni (apo fjalët tjera që janë sinonim në gjuhën shqipe: hajnia, vjedhja) ka qenë e është shumë i madh. Edhe ky argument është argument që organizata që e lufton korrupsionin më së shumti Transparency International me seli në Berlin, e cek shumë qartë për Kosovën. Njësoj edhe organizata që ne dëshirojmë t’i bashkohemi (BE-ja).

– Papunësia e madhe po ndikon që një numër i madh i rinisë tonë të bëj çmos që ta lëshoj Kosovën e të ikë në vende tjera.

– Kosova sot është gjysmë-shtet.

– 2011 – Kosova sot ka mbetur si vrimë e zezë në hartën e Evropës, sepse nuk ka lëvizje të lirë sikurse vendet tjera. Mua nuk më duhet viza askund sepse kam shtetësi suedeze, por dy milionë banorëve të Kosovës po.

Kush i ka fajet për këtë realitet të keq për popullin e Kosovës? Institucionet?, Politikanët, apo edhe popullata vetë? Apo ”të huajt” që si zakonisht përdoret diku-diku këtej. ”Ski çka i bën gomarit e sill samarit”- thotë një fjalë e urtë popullore.

Ti qartësojmë disa gjëra… Në demokraci të mirëfilltë politikanët i zgjedh populli në zgjedhje demokratike e të hapura. Në Kosovë nuk ka demokraci të mirëfilltë. Mos të ia bëjmë qefin vetes. Vendimmarrja është e përzier në mes të kosovarëve dhe ndërkombëtareve. Kjo edhe sjell huti, por në rastin tonë, kjo duket se është domosdoshmëri.

Siç është e sigurt se 2+2=4 ashtu është e sigurt se të metat e shoqërisë sonë nuk zgjidhen nga vetvetja. P.sh. dhënia e provimeve me të njohshëm apo duke dhënë ryshfet p.sh. në Fakultetin e Mjekësisë nuk e rrit besimin në mjekësinë tonë e nuk e ul numrin e pacientë kosovarë që shkojnë në Shkup, Beograd, Turqi, etj., për të gjetur shërim për sëmundjet e tyre. Por dënimi me burg i atyre mësimdhënësve që e bëjnë një gjë të tillë. E njëjta vlen edhe për ata që me të njohshëm apo para ua japin patentë shoferët qytetarëve. A e dini se Kosova e ka numrin më të madh të fatkeqësive në trafik? Kuptohet se hyrja në punë me të njohshëm në ato vende kur njerëzit nuk e kanë profesion shkakton edhe humbje totale për atë institucion, firmë, shkollë apo çfarëdo qoftë ai vend pune.

Profesionalizëm me nder nënkupton – kurrë mos e merr një detyrë nëse nuk di si ta bësh atë. Kjo ka vlerë dhe përgjegjësi edhe më të madhe kur është në pyetje përfaqësimi i popullit, p.sh. Unë kurrë nuk do të kisha thënë se di të punoj se si arrihet deri te integrimet evropiane e liberalizimi i vizave, sepse kam punuar me këtë gjë që nga viti 1998. Unë kurrë nuk do të kisha thënë se di të punoj për një Diplomaci të fortë, nëse nuk do ta kisha përvojën disa vjeçare nga kjo gjë. Por, shumë shpesh këtu në Kosovë po i dëgjoj njerëzit ne poste vendimmarrëse apo pseudoanalistë që mundohen t’ua hedhin fajin gjithmonë të tjerëve për mossukseset tona. Jo. Nuk shkohet përpara duke i bërë të tjerët fajtorë. Po ashtu as nuk thuhet “unë pranoj çdo post që ma beson partia”, sepse jo partia, por interesi i popullit duhet të jetë prioriteti nr.1

– Por a duhet politikanët të fajësohen për çdo aspekt negativ? Sigurisht që jo. Populli në anën tjetër nuk bën kurrë të pret vetëm nga politikanët për çdo gjë. Mosrespektimi i ligjeve, hedhja e bërllokut kudo, mospagimi i tatimeve e puna ilegale e dëmtojnë shumë rëndë Kosovën, dallim se cilat parti janë në pushtet. Çdo kosovar edhe vetë si individ duhet ta merr përgjegjësinë e vetë. Nëse dëshirojmë që të tjerët ta njohin pavarësinë e Kosovës si shtet, atëherë duhet edhe vetë të fillojmë ta forcojmë këtë shtetësi. Ti shohim të metat tona. Të flasim haptazi për to. E t’i zgjedhim ato bashkë me profesionistët tanë në vend, në Diasporë e miqtë tanë ndërkombëtare si brenda në Kosovë po ashtu edhe jashtë saj. Ta përcjellim thënien e ish presidentit amerikan Tomas Xhefersson që e tha në vitin 1812, por të bëhemi vigjilentë e t’i zgjedhim të metat tona. Mjaft ka vuajtur populli ynë. Koha ka ardhur për një Kosovë të re, ku puna kryhet jo me dallavere, por me sinqeritet.

(Autori është magjistër i Shkencave Politike Evropiane)

Exit mobile version