Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, përmes një shkrimi në rrjetin social, Twitter, ka thënë se rezultatet e zgjedhjeve në Kosovë treguan se qytetarët votuan për të parë fundin e korrupsionit.
“Rezultatet e zgjedhjeve tregojnë se qytetarët duan të shohin fundin e korrupsionit. A do të ndërmarrin të gjitha partitë – në qeveri dhe opozitë – një veprim vendimtar?”, ka shkruar Kosnett.
Nga rezultatet preliminare, të publikuara deri më tani nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 25.49 për qind të votave, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 24.82 për qind të votave.
Sipas KQZ-së, Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka udhëhequr për 12 vjet, ka dalë e treta.
Këto rezultate nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja te veçanta.
Election results show the people want to see an end to corruption. Will all parties – in government and opposition – take decisive action? pic.twitter.com/udJkHw2q30
— Ambassador Philip S. Kosnett (@USAmbKosovo) October 11, 2019