Site icon Telegrafi

Kosnett: Politika s’ka vend në arsim

Ambasadori i SHBA në Kosovë, Philip Kosnett ka mbështetur qëndrimin e shefes së BE-së në Kosovë, Natylia Apostolova në lidhje me Agjencinë për Akreditim të Kosovës.

Përmes një postim në rrjetin social Twitter, ambasadori amerika ka thënë se politika nuk ka vend në arsim.

Ai ka shtuar se AKA-ja duhet të mbetet e pavarur, në mënyrë që të ketë arsim cilësor në Kosovë, transmeton Telegrafi.

“Në arsim nuk ka vend për politikë. Unë e mbështesë plotësisht deklaratën e Apostolovas. Agjencia e Akreditimit të Kosovës duhet të mbetet e pavarur, për të siguruar arsim cilësor në Kosovë”, ka shkruar Kosnett.

Lexo po ashtu Apostolova: Nuk duhet të ketë ndërhyrje politike në punën e AKK-së

Ky reagim i Kosnett ka ardhur pas takimit që Apostolova ka pasur me zyrtarë të Agjencisë për Akreditim të Kosovës, ku kanë diskutuar rreth reagimeve të universiteteve ndaj vendimeve të kësaj agjencie.

Apostolova ka thënë se ndërhyrjet e politikës i kanë kushtuar kësaj agjencie me përjashtim nga Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë dhe ka vënë në rrezik anëtarësimin e kësaj agjencia edhe në institucionet tjera.

“Bashkimi Evropian shpreh keqardhje për reagimet e disa drejtuesve të universiteteve publike kundër vendimeve të pavarura të Agjencisë. Vendimet e tilla ende nuk janë finalizuar dhe disa prej tyre mund të shqyrtohen më tej nga Komisioni i Ankesave. Asnjëherë nuk duhet avokuar për ndërhyrje politike në punën e agjencive të pavarura. Ishte pikërisht ndërhyrja e autoriteteve që rezultoi me përjashtimin e AKA-së nga Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë dhe ka vënë në pikëpyetje anëtarësimin e saj në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë.  Kjo ka pasoja të rënda për studentët e Kosovës, duke dëmtuar aftësinë e tyre për të ndjekur studime ose për të kërkuar punë jashtë vendit”, thuhej në komunikatën e zyrës së BE-së në Kosovë. /Telegrafi/

Exit mobile version