Gjykata ushtarake ruse do ta shqyrtojë rastin ndaj oficerëve të shërbimit të inteligjencës ruse (FSB), majorit Sergei Belousov dhe kapitenit Alexei Kolbov, të cilët akuzohen për zhvatjen e rreth 65 milionë rublave apo rreth 1 milionë eurove, në këmbim të mbylljes së hetimeve.
Të dy oficerët rusë kishin kërkuar të holla nga i biri i ish-drejtorit të shtëpisë botuese “Izvestia”, Erast Galumov Alexander, i cili po hetohej për korrupsion. Ata i kishin premtuar djalit të ish-drejtorit të “Izvestia”, se do t’i mbyllin hetimet ndaj babait, duke e dënuar vetëm me kusht, ndërsa ndaj tij nuk do të kishte ndjekje penale.
Këta oficerë, kur kishin kontaktuar të birin e ish-drejtorit të “Izvestia”, ishin treguar shumë të kujdesshëm duke u paraqitur me emra të rrejshëm dhe kishin kërkuar që shuma të paguhet në Bitcoin, duke marrë parasysh edhe faktin se në Rusi kriptomovalutat ende nuk kanë peshë ligjore. Gjykata e lartë ruse deri tani kriptomovalutat i ka llogaritur si mjete monetare, vetëm në rastet kur ka të bëjë me pastrimin e parave, që janë fituar nga aktivitete kriminale.
Mbrojtja e ish-drejtorit të “Izvestia”, thotë se provat ndaj klientit të tyre janë të papranueshme, pasi që rasti është i iniciuar nga oficerë të FSB-së të kapur në flagrancë, me qëllim zhvatjen e klientit të tyre dhe pasurimit të oficerëve të FSB-së.
Marrë parasysh se në Rusi, shërbimi rus i inteligjencës FSB, merret me hetimin e krimeve ekonomike, nuk janë të rralla rastet kur oficerë të FSB-së, janë edhe vetë të përfshirë në zhvatje të personave që janë duke i hetuar.
Shumica e rasteve për zhvatje, ku pjesë janë hetuesit e FSB-së mbesin të pazbuluara për opinionin publik, për shkak që hetimet dhe seancat dëgjimore kundër tyre, mbahen të mbyllura. Kjo bëhet që të mos dëmtohet “imazhi” i FSB-së, pasi që detyrë parësore e tyre është mbrojtja e pushtetit të Putinit dhe oligarkëve rusë, të cilët punojnë për interesa të Putinit. /Telegrafi/