Telegrafi

Korrupsioni po largon investitorët e huaj nga Kosova

“Kosova po ngecë dukshëm në ofertën e saj për investitorët potencial krahasuar me rajonin”, vlerësohet në raportin e Klubit për Politikë të Jashtme që u publikua sot, me qëllim të sjelljes së një pasqyre mbi dëmet që po shkakton dukuria e korrupsionit për investimin e huaj në Kosovë. Drejtori ekzekutiv i këtij klubi, Ylli Hoxha, tha se në katër vitet e fundit në buxhetin e Kosovës ka mbi trefishim të investimeve kapitale, që mund të jetë një indikator i keqmenaxhimit.

“Del se Kosova prinë dukshëm me përpjesëtimin që investimet kapitale zënë në buxhetin e konsoliduar me 40.5 %, pra gati gjysma e BK shpenzohet në investime kapitale, pra në atë pjesë të buxhetit ku dyshohet se korrupsioni është më i lartë’, ka thënë Hoxha.

Ndërsa Ranij Nayak nga Banka Botërore tha se investitori i huaj dëshiron të sigurohet se për të investuar në një vend, duhet të ketë stabilitet politik, potencial ekonomik dhe funksionim të sistemit ligjor.

“Kosova mund të bëjë më shumë në sundimin e ligjit, në stabilitetin dhe në përmirësimin e infrastrukturës. Nga perspektiva e Bankës Botërore jemi të interesuar në adresimin e çështjes së korrupsionit, sepse besojmë se me luftimin e kësaj dukurie, zvogëlohet dukshëm edhe varfëria në Kosovë. E dimë se kjo nuk mund të bëhet shpejtë, apo brenda natës, por duhet që secili të funksionojë, të bëhet një program zhvillimor për këtë ambient. Kjo është sfidë”, ka theksuar z. Nayak.

Muhamet Mustafa, kryetar i Bordit në Institutin Riinvest, theksoi nevojën e ngritjes së investimit në Kosovë, me qëllim të rritjes ekonomike dhe punësimit. Ai tha se nevojitet qasje serioze kundër korrupsionit, duke përmendur pikat kryesore se si funksionon kjo dukuri në vend.

Ndryshe, në këtë takim u prezantua nevoja për një funksionim të zinxhirit institucional që garanton suksesin në luftë kundër korrupsionit, me qëllim që investitorëve të huaj t’u sigurohet ambient me i sigurt për të investuar në Kosovë./rtklive/